Shpëtim Moçka bën llogaritë për ndeshjen me Laçin që tani. Portieri vlonjat e njeh mirë kundërshtarin, ndaj u kërkon shokëve të skuadrës që të mos i nënvlerësojnë.Ai zbulon se kurbinasit shfaqen të rrezikshëm, pikërisht kur i merr lehtë. Gardiani i portës së Teutës e trajton këtë duel si finale dhe evidenton që një trepikësh do të kishte vlerë për misionin final.“Përtej pushimit të kampionatit, ne jemi përqendruar veçse te ndeshja e radhës. Java e ardhshme na vendos përballë Laçit, një sfidë vërtet e vështirë për ne. E njoh atë ambient dhe kur i mendon që janë të lodhur apo e ke të fituar ndeshjen, atëherë të godasin. Nuk duhet bërë gabimi i nënvlerësimit, pasi do të ishte një autogol ende pa filluar ky 90-minutësh.Trajneri po e përgatit ekipin jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin moral. Po marrim ngarkesat e duhura fizike, për ta kaluar me sukses këtë takim. Nëse do të luajmë siç na kërkohet dhe të punojmë me kokën ulur, do t’ia dalim. Nëse e mendojmë të fituar para se të fillojmë, atëherë do të jetë një problem shumë i madh për ne. Kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje, i trajtojmë që të gjitha si finale, pa përjashtim.
Ajo çfarë unë siguroj është angazhimi i të gjithëve në stërvitje, çka na shton optimizmin se mund të marrim pikë ndaj kurbinasve. Nëse do ta fitonim këtë përballje, atëherë dhe besimi do të rritej, pasi do të fitonim ndaj një kundërshtari direkt. Duhet që ta mbyllim fazën e tretë me nder dhe më pas të mendojmë për fazën finale”, përfundoi shtatlarti i portës durrsake.