Portieri vlonjat Shpëtim Moçka shprehet se ekipi ka filluar të korë frytet e punës së bërë dhe po tregon se ka grintë e karakter të përballet me të gjithë kundërshtarët, pavarësisht pozitave dhe emrit që ka. Për vlonjatin, ekipi duhet të vazhdojë me këtë ritëm dhe të mos bëjë gabime që komprometojnë ecurinë e skuadrës. Ai thekson se dhe ndeshja e radhës është po aq e vështirë sa ajo ndaj Tiranës.“Mbyllëm një javë relativisht të suksesshme, pasi morëm një pikë në Tiranë, edhe pse synimi ynë në çdo ndeshje është marrja e tri pikëve pavarësisht kundërshtarit. Megjithatë, ashtu siç shkoi ndeshja, barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Dua ta përgëzoj dhe ekipin, pasi u paraqit mjaft mirë në këtë sfidë, për të cilën të them të drejtën ishim përgatitur shumë para saj, pasi e dinim rëndësinë dhe nuk donim të ktheheshim nga Tirana me një rezultat negativ. Fatmirësisht skuadra u tregua e zonja dhe mori një pikë në kryeqytet. Nga sot duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës me Bylisin, një sfidë delikate dhe kjo, pasi ekipi ballshiot ka nevojë për pikë dhe bën të pamundurën për t’i marrë ato.
Kanë një ekip që po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe këtë e treguan ndaj skuadrës së Skënderbeut. E kam ndjekur ndeshjen dhe shoh që kanë lojtarë cilësorë. Kjo na e bën ‘detyrë shtëpie’ që të stërvitemi fort dhe të paraqitemi në nivele maksimale kundër lojtarëve të Bylisit. Kemi ende ditë në dispozicion për ta përgatitur këtë përballje, por dua të them që do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë për vetë pozitat e dy ekipeve në tabelën e renditjes”, përfundoi portieri i Teutës.