Një vit më parë Shpëtim Moçka dha gjithçka që Teuta të qëndronte në Superiore, duke realizuar madje dhe një gol në ndeshjen me Partizanin, për një pikë që në fund vlejti shumë për durrsakët.
Këtë vit “Djemtë e Detit” e gjejnë veten me një trajner të ri, por dhe objektiva të rinj, me dëshirën për t’u rikthyer të luftojnë për objektiva të rëndësishëm.
Në fillimin e fazës përgatitore për sezonin e ri, portieri, si një prej lojtarëve më me përvojë te durrsakët, shpreh bindjen se viti i kaluar nuk do të përsëritet më.
Bledi Shkëmbin dikur e ka patur rival në fushë, tashmë do ta ketë trajner. Moçka shpreh bindjen se tekniku i ri do të dijë të shfrytëzojë maksimalisht ambientin pozitiv që ekziston te durrsakët për të shprehur më të mirën e tij në stol për një fillim të ri dhe për Teutën.





