Teuta pa t'i ndërpritej një seri pozitive prej 5 ndeshjesh përballë Flamurtarit, por në Durrës duket se kanë ditur të nxjerrin leksion nga ajo humbje, siç dëshmon gardiani i portës së bregdetarëve, Shpëtim Moçka, që evidenton njëkohësisht edhe mungesat në formacion si një nga faktorët që kushtëzuan paraqitjen e Teutës.
Para është përballja me Kamzën, dhe Moçka, portieri që bëri golin e vitit në Superiore në atë barazim me Partizanin, nuk ngurron t'i vërë etiketën e finales, e madje si sfidën që vendos sezonin.
Teuta kërkon parakalimin, por edhe një barazim mund të konsiderohet pozitiv, me Moçkën që shikon si aleat edhe kalendarin në javët e mbetura në garën në distancë me Kamzën dhe Vllazninë.
Detaji interesant i këtij sezoni të Teutës është se golat vijnë nga mbrojtja, por Moçka e bën të qartë, e vetmja mënyrë për të shpëtuar skuadrën është forca e grupit, pa bërë dallime mes reparteve.





