Nga Igli Cara

Për një vend si Shqipëria, zgjedhjet politike zakonisht impaktojnë gjatë në kohë dhe prekin funksionimin e të gjithave institucioneve të qeverisjes së vendit, përfshi dhe pushtetin lokal. 23 qershori i këtij viti duket që po ka një efekt të çuditshëm dhe ndërsa Ramës nuk po i del akoma qejfi i fitores, gjithë qeverisja e vendit në të gjitha nivelet është e paralizuar. Ka një tendencë për t’u marrë me gjëra anësore, mbledhje hoteleve të qeverisë në ardhje, ngjyra perdesh a tavolinash, kode etike dhe heshtjeje, apo kangjella që hiqen diku e vihen diku tjetër, por ajo çka realisht ndodh është që askush nuk po merr përsipër përgjegjësi administrimi dhe ligjore.Natyrisht, shumë prej jush do të jenë duke menduar që është shpejt për ta gjykuar Ramën, ta lëmë të punojë dhe t’i shohim rezultatet pas 100 apo 300 ditësh, por nuk duhen harruar dy gjëra: e para, që Rama nuk është rishtar në qeverisje; e dyta, që Rama ka një model, atë të Bashkisë së Tiranës, që me sa duket, reflektohet jo vetëm tek emërimet e reja, por dhe te klonimi prej kohësh i këtij modeli në bashkitë e mëdha ku administrojnë socialistët. Bashkia e Durrësit është kopja më e shëmtuar e modelit që Rama krijoi në qeverisjen lokale, ajo çka i bashkon me Dakon janë përqindjet mbi lejet e ndërtimit (po Vangjushi ka fatin të ketë përqindje dhe tek ato pa leje), arroganca dhe mospërfillja deri në ekstremet e shkeljes së ligjit të funksionimit të pushtetit vendor. Rama, kryetari siç e thërrasin ish–drejtorët tashmë përsëri drejtorë, në mandatin e tij të fundit në Bashkinë e Tiranës kujtohet jo vetëm që nuk bëri asgjë për kryeqytetin, por dhe se qeverisi pa Këshill e pa buxhet për një vit e gjysmë.Shumë prej jush do të habiteshin nëse do të kishin informacionin që Këshilli Bashkiak i Durrësit nuk mblidhet që nga janari i këtij viti, kur ligji nr. 8652 shprehet në nenin 31, pika “e”, të ndryshuar, që “mbledhjet e radhës të këshillit bashkiak zhvillohen si rregull jo më pak se një herë në muaj” dhe në pikën 8 “kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë. Vetëshpërndarja pasohet më zgjedhje të reja për këshillin përkatës dhe sekretari i këshillit komunal ose bashkiak, brenda 40 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, njofton prefektin”.Për të vazhduar më tej, dy nga vendimmarrjet më të rëndësishme vjetore të Këshillit Bashkiak, paketa fiskale për vitin 2013 dhe buxheti i bashkisë së Durrësit, nuk janë kaluar asnjëra në Këshill, dhe në përputhje me neni 38, pika 1, germa “b”, në të cilin thuhet se “këshilli shpërndahet me VKM kur nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 49 të këtij ligji”, në këto kushte Këshilli Bashkiak i Durrësit duhet të shpërndahet.Dhe shkeljet nuk sosin këtu, vazhdojnë më tej. Kanë kaluar tashmë jo 6, por mbi 8 muaj që kur Këshilli Bashkiak nuk është mbledhur, dhe bazuar në nenin 27 të ligjit 8652, i ndryshuar, në pikën 4, germa “e”, “mandati i këshilltarit mbaron para afatit, me propozim të komisionit të mandateve kur nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit për një periudhë 6-mujore”, pra mandati i anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Durrësit ka mbaruar. Natyrisht, ka shumë e shumë argumente të tjera në “favor” të “modelit Rama” dhe klonimit të tij në bashkinë e Durrësit.Arroganca e këtij modeli në Durrës duket që i bën karshillëk jo vetëm ligjit, Këshillit Bashkiak, por dhe “hallakatjeve” me premtime mediatike të vetë Ramës, dhe këtu bëhet fjalë për të gjitha ndërtimet, me dhe pa leje, që kanë uzurpuar gjirin e Durrësit. Rama flet për publiken dhe kujdesin ndaj saj, por modeli i tij në Durrës bën që sot të ketë pak shpresë që qyteti të ketë një të ardhme europiane, sepse të gjithë e dimë që pas pallateve dhe shkatërrimit të tij janë klientët e Gjushit që mbështesin fushatat e Ramës, janë klientët e tyre që pasi blenë metrat dhe ajrin, blenë votat dhe mund të vazhdojnë të blejnë, siç po blejnë gjithçka në qytet!Ka lexues që s’janë dakord me çka shkruaj se janë fansa të Ramës, ka lexues që në heshtje bien dakord, megjithëse janë fansa të PS, ka të tjerë, ata të shtresës gri, që e dinë këtë, megjithatë pritën ndryshimin. Për të gjithë ka kohë dhe vend për t’i faktuar ato çka thamë, por ajo që s’ka më kohë është Shqipëria, që detyrën e saj numër 1 ka të garantojë shtetin ligjor.

 

http://www.panorama.com.al/2013/09/25/modeli-rama-dhe-keshilli-bashkiak-i-durresit/