Një 30-vjeçar polak ka marrë peng në Milano një modele 20-vjeçare nga Britania e Madhe, të cilën u përpoq ta shiste online në internet për qëllime seksuale. Sipas asaj që raportojnë mediet italiane, vajza, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, u mbajt e burgosur për një javë pasi ishte droguar.

Autori Lukasz Herba u përpoq ta shiste 20-vjeçaren në internet për 300 mijë Euro, duke kërkuar pagesë me monedhën virtuale Bitcoin. Pasi u zbulua, ai i kërkoi policisë 50 mijë Euro që ta linte të lirë 20-vjeçaren dhe kërcënoi ta vriste nëse modelja i thoshte policisë se çfarë i kishte ndodhur gjatë një jave që po mbahej peng.

Megjithatë, policia italiane arriti ta lironte vajzën dhe ta arrestonte 30-vjeçarin. Hetimet janë duke u zhvilluar për të gjetur bashkëpunëtorët e tjerë.