16 mars 2014 – Vetëm një sy mjaft i kujdesshëm do arrinte të dallonte se nuk bëhej fjalë për një papagall shumëngjyrësh, por për një modele të pikturuar në mënyrë gjeniale nga Johannes Stoetter. Artisti 35-vjeçar i cili jeton në Itali ka shpenzuar një muaj kohë duke planifikuar vizatimin dhe 4 orë për të pikturuar modelen. Më pas, një orë tjetër e ka marrë pozicionimi i saj për foton në mënyrë që të dukej si një zog tropikal i vërtetë.

Këmba e majtë e modeles është shtrirë plotësisht për të dhënë idenë e bishtit të papagallit, ndërsa këmba dhe dora e djathtë janë shndërruar në krahët e shpendit. Krahu i majtë, i vendosur rreth kokës ka formuar kokën e papagallit.

“Ishte e vështirë të bëje një foto të tillë, t’i shpjegoje modeles pozicionin që duhej të merrte dhe të gjeja këndin e duhur për foton. Por, jam i kënaqur me rezultatin pasi shumica e njerëzve më pyesin se ku e kam fotografuar një papagall kaq të bukur”, thotë Johannes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/