Në janar të vitit të shkuar, moderatorja Fatma Methasani u bë nënë për herë të parë. Ajo solli në jetë një djalë, që u pagëzua me emrin Noah, të cilit i është përkushtuar totalisht.
Së fundmi, ajo ka ndarë me të gjithë ndjekësit e saj një detaj nga periudha pas lindjes së bebit dhe tregon se ka humbur shumë kilogramë.
“Dhe siç po thoja, jam dobësuar deri në pikën që blej streçe tek sektori fëmijëve. Madje shpesh herë jam matchy-matchy (njësoj) me një vajzë 10-vjeçare që bën balet te palestra ime”, ka shkruar ajo.
Më herët, Fatma Methasani ka treguar se nuk e ka kaluar lehtë periudhën pas ardhjes në jetë të djalit, sepse i është dashur të luftojë me depresionin postpartum.
E ftuar në emisionin “E ardhmja është vajzë”, ajo tregoi se shtatzënia me Noah e gjeti të papërgatitur, sepse nuk ishte e planifikuar. Moderatorja tha se u gëzua shumë nga ky lajm, por ju shkatërrua gjithë përditshmëria e saj, që vërtitej rreth punës.
“Shumë pak e dinë që unë e kam kaluar shumë keq periudhën e paslindjes. Kam qenë e rrethuar me njerëz që e donin shumë Noahn dhe mua, por po më ndryshonte jeta në një mënyrë të çuditshme. Unë takohesha më parë me Alfion në orën 11 të natës në shtëpi, më pas aktiviteti më i interesant i ditës sime ishte të dilja në ballkon që të ndryshoja rrobat e të voglit.
Ky ndryshimi drastik i jetës më bëri ta kaloja shumë keq. Ato kilogramët e tepërt, goca më besoni që mund t’i humbni shumë shpejt, janë shumë të parëndësishme. Por, unë në atë periudhë e kam kaluar më keq seç duhet dhe nuk ia fal vetes akoma që nuk e kam shijuar sa duhet periudhën e paslindjes sepse mendoja gjëra të parëndësishme”, rrëfeu Fatma.
Më pas ajo dha një mesazh me vlerë për të gjitha nënat.
“Gjej hapësirën t’ju them mamave që mund të jenë pa gjumë, që jeta e re që po ju duket e çuditshme, më vonë do ta kuptoni se kjo është gjëja më e bukur që po bëni në këtë botë”, tha Fatma Methasani.