Ajo prej vitesh ka prekur zemrat e shqiptarëve me historitë që trajton në emisionin "Me Zemër të Hapur" në News 24, ndërsa sot është përlotur vetë nga telefonata surprizë e të bijës.

Bëhet fjalë për moderatoren Evisa Ahmeti e cila sot feston 45-vjetorin e lindjes. Teksa po trajtonte një konflikt mes një nënë dhe vazjës së saj që nuk flisnin, e bija e moderatores, studente në Itali ka befasuar të ëmën për ditëlindje, e cila mendonte se në linje ishte vajza e zonjës në studio.

"Më falni për kohën televizive që po ju marr. Mami në këtë 45-vjetor unë ndodhem larg teje, por dashuria ime nuk matet me kilometra. Kam fatin e madh që kam një mama të përkushtuar si ty. Të dua shumë dhe të them se je mami më e mirë në botë", e uroi vajza.

Pas surprizës moderatorja ka shpërthyer në lot, nga emocionet: "Ua shumë faleminderit. Zemra e mamit",- ka thënë e kapur në befasi moderatorja.

Në studio, stafi i emisionit është kujdesur që t’i sjellë moderatores edhe dhuratën e së bijës, një tufë me lule.