Kompania farmaceutike amerikane, Moderna pret të rrisë prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit deri në tri miliardë doza, në vitin 2022. Kompania tha se prodhimi do të dyfishohet në objektet e saj në Zvicër dhe Spanjë, ndërsa do të rritet për 50% edhe në fabrikat në SHBA.
Moderna po ashtu rriti parashikimet për furnizim këtë vit deri në një miliard doza. Njoftimi vjen pasi përhapja e varianteve të koronavirusit në vende si India, ka rritur shqetësimet për kapacitetet e botës për të kapërcyer pandeminë.
“Derisa vazhdon përhapja e shpejtë e varianteve të koronavirusit, ne besojmë se do të ketë nevoja të mëdha për vaksinën tonë”, tha shefi ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel.
Vaksina Moderna është autorizuar për përdorim te të rriturit në SHBA, Bashkimin Evropian dhe shumë vende të tjera dhe është thënë se siguron mbrojtje deri në 94.1%.
Vitin e kaluar, Moderna ka nisur testimin e vaksinës së saj edhe te fëmijët 12 deri në 17 vjeç, por rezultatet e këtij testimi nuk janë publikuar ende. Në mars, ndërkaq, ka nisur testimi edhe në fëmijë të moshës gjashtëmuajshe deri në 11 vjeç. Në studim e sipër janë edhe ndryshimet e dozave, për t’i përshtatur ato më mirë me mutacionet e koronavirusit.





