Futbollisti i Realit, Luka Modric dëshmoi këtë mesjavë në gjyqin ndaj ish-presidentit të Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamic, që akuzohet për evazion fiskal dhe përvetësime të paligjshme. 31 vjecari u paraqit në sallën e gjyqit jo në rolin e të akuzuarit por si dëshmitar kyc lidhur me disa detaje të kontratës së tij gjatë transferimit nga klubi kroat te Tottenham në verën e vitit 2008.
Vetë lojtari i Realit pranoi se kishte një marrëveshje me Mamicin për t’i paguar këtij të fundit 50 përqind të vlerës së transferimit te klubit anglez, që pagoi në total 23.5 milion euro për të patur shërbimet e tij.Sipas Modricit marrëveshja është firmosur me dijeni të plotë të tij dhe palët kanë qenë dakort për këtë klauzolë. Mamic e cilësoi dëshminë e Modric si të mrekullueshme duke akuzuar prokurorin se ka ngritur një cështje mbi deklarata që futbollisti i Realit nuk i ka bërë kurrë dhe që u rrëzuan gjatë kësaj seance. Autoritet kroate po gjykojnë Mamicin dhe vëllain e tij për përvetësim të shumës prej 12 milion euro nga paratë e klubit dhe nuk kanë paguajtur një taksë prej 1.6 milion euro për këtë pagesë.