10 shkurt 2015 – "Calciopoli", marrëdhëniet e tij me drejtuesit e futbollit italian, pjekurinë e futbollit shqiptar dhe shumë tema të tjera pikante ishin në qendër të diskutimit të ish drejtorit sportiv të Juventusit, Luciano Moggi gjatë ceremonisë së prezantimit të librit "Topi është Imi" në ambjentet e Akademisë së Artëve në Tiranë. Fillimisht, njeriu arkitekt i sukseseve të Juventusit gjatë dekadës së kaluar, u ndal te futbolli shqiptar duke vënë theksin në rritjen graduale të futbollit shqiptar. Në vijim ai theksoi se libri që tashmë vjen edhe për të gjithë lexuesit shqiptarë, hedh dritë mbi të shkuarën e tij si drejtor sportiv jo vetëm te Juventusi por edhe te Napoli e Roma. Dhjetra të rinj të pranishëm në sallën e konferencave shpërthyen në ovacione disa herë kur Moggi vuri theksin në çështjen "Calciopoli", duke shprehur besimin se bardhezinjtë dhe ai personalisht nuk janë fajtorë në këtë mes. Sipas Moggit, ndeshjet në Itali nuk trukohen në Serie A por në kampionatet më inferiore të futbollit italian, madje sipas tij, këtu bëhet fjalë për pazare mes klubeve dhe jo trukime të mirëfillta. Milani ishte një prej shënjestrave të Moggit, i cili mori shkas nga përplasjet e ditëve të fundit, duke theksuar se Juventusi mund të kishte fituar më thellë se 3-1 dhe në këtë rast, drejtuesit e Milanit duhet të bëjnë llogaritë me problemet brenda familjes. Pas rreth 2 orësh në praninë e dhjetra të pranishmëve të cilët përfituan nga rasti për të marrë autografe në librin e ish drejtuesit juventin, Luciano Moggi mbylli fjalën fjalën e tij prezantuese ku në qëndër ishte libri "Topi është Imi", që vjen për publikun shqiptar nga shtëpia Botuese "Saras".Ish drejtori sportiv i Juventusit që u vendos në qendër të akuzave për skandalin "Calciopoli" u prononcua në një intervistë ku preku disa nga temat më delikate të futbollit italian, por nuk kurseu elozhet për zhvillimin e futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit, duke vënë theksin te kolonia e shqiptarëve që luajnë aktualisht në nivele të ndryshme të futbollit italian:
“Futbolli shqiptar po evidentohet në nivele ndërkombëtare. Kombëtarja nën drejtimin e De Biasit ka bërë hapa të rëndësishëm. Promovimi i futbollit në Shqipëri është diçka pozitive sepse lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali si Hysaj te Empoli, Cana te Lazio kanë një ecuri pozitive. Njoh personalisht Lorik Canën që luan te Lazio. Përveçse një profesionist ai është edhe një lojtar shumë i mirë. Në praktikë futbolli italian nuk është më ai i viteve të shkuara, por lojtarët e huaj janë të rëndësishëm sepse një fenomen i tillë është edhe në vendet e tjera. Dua të veçoj psh. Cikalleshin që po tregon vlerat e tij në një kampionat të rëndësishëm. Kjo do të thotë se në futboll ka njerëz që mund t'i japin shumë këtij sporti. Pamë ndeshjen e Shqipërisë në Gjenovë; pamë edhe ngrohtësinë që dhuruan 20 mijë tifozët shqiptarë të cilët dhanë një mbështetje financiare për bamirësi; pamë një kombëtare kompakte që i krijoi vështirësi Italisë, prandaj më duhet të them se nëse futbolli shqiptar ecën në këtë rrugë, në të ardhmen mund të bëhet shumë i rëndësishëm. ”





