Tiranë, 25 korrik 2014 – Italia në krye të Presidencës së Bashkimit Europian do të punojë për të vendosur një dialog të ri mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ministria e Jashtme Italiane, Federica Mogherini, e cila vizitoi këtë të premte Shqipërinë, tha se do të angazhohet për të realizuar një takim tre palësh Itali-Shqipëri-Serbi mes ministrave të jashtëm të vendeve përkatëse.
Në një konferencë për mediat me homologun shqiptar Ditmir Bushati, Mogherini vlerësoi rolin kyç të vendit tonë sa i përket stabilitetit në Rajon, duke deklaruar njëherësh se gjatë takimit që do të zhvillojë të hënën në Beograd me ministrin e jashtëm serb do të flasë dhe për vendosjen e një dialogu të ri mes Serbisë dhe Tiranës zyrtare.
“Do doja të përmendja rolin kyç të Shqipërisë sa i përket stabilitetit në Rajon. Do të bisedoj edhe me ministrin e jashtëm serb të cilin do ta takoj të hënën në Beograd dhe besoj se do arrijmë të realizojmë një takim tripalësh Shqipëri-Itali-Serbi për të çelur dialog të ri mes tre vendeve, për t’i dhënë rëndësi më të madhe rolit sigurisë dhe stabilittetit në rajon”, u shpreh Mogherini.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Mogherini bëri publike dhe nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për Zhvillim mes dy vendeve nga 2014-2016, me projekte të përqendruara në aspekte sociale, atë të zhvillimit të bujqësisë etj, të cilat siç theksoi ajo do të kryhen në kuadër të një bashkëpunimi dhe jo thjesht ndihmese.
Vizita e ministres së Jashtme italiane në Shqipëri, vjen në kuadër të një turi vizitash që do të mbahen gjatë muajit të parë të kryesimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga Italia, në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.





