Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini, do të mbërrijë sot në Tiranë për një vizitë zyrtare. Fillimisht, rreth orës 19:00, Mogherini do të ndalet në Kryeministri për të zhvilluar një takim me shefin e qeverisë Edi Rama. Takimi do të pasohet me një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës në Tiranë, zyrtarja e lartë e BE-së pritet të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Presidentin Bujar Nishani, kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha si dhe me ministrin e Jashtëm Bushati.

Ndërsa të premten, në Parlamentin e Shqipërisë do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku Mogherini do të mbajë edhe një fjalim.

Pritet që ajo të përcjellë kërkesën për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe veçanërisht realizimin e reformës në drejtësi, me qëllim që Shqipëria të mund të marrë një datë për hapjen e negociatave.