5 tetor 2015 – Elvis Gaçaj, personi që dyshohet të ketë qenë në shënjestër të vrasësve, ka mohuar çdo gjë në lidhje me atentatin te lulishtja “1 Maji” në Tiranë.
Sipas “Panoramës”, ai ka deklaruar përpara prokurorëve se të shtënat mbi makinën e tij kanë qenë ngatërrim objektivi dhe dy personat e arrestuar ai nuk i njeh.
Por tashmë mendohet se çdo dinamikë e ngjarjes është zbuluar dhe të dhënat janë të konfirmuara nga Prokuroria e Tiranës dhe policia.
Grupi i hetimit ka zbuluar se Elvis Gaçaj ishte drejtues i një grupi që shpërndante drogë në Tiranë. Ai kishte pasur përplasje të vazhdueshme, sipas policisë, me shtetasit Vasiel Çavo dhe Sael Sulaj. Për shkak të këtyre përplasjeve, në prill 2015, Gaçaj i kishte rrahur keqazi dy të rinjtë, dhe nga këtu nisi plani i tyre i hakmarrjes.
Ata pranuan para hetuesve se objektivi i tyre ka qenë 40-vjeçari Elvis Gaçaj, i cili mbeti i plagosur.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, për 20-vjeçarin Sael Sulaj dhe 23-vjeçarin Vasiel Çavo është kërkuar masa “arrest me burg”, të cilët akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe shitje e shpërndarje të lëndëve narkotike.
/portali DurresLajm/