SHBA– Pesëdhjetë e një vjet më parë Xhon F. Kenedi tha në këtë sallë: “Kushtetuta nuk na bën rivalë për pushtet por partnerë për përparimin.” “Është detyra ime”, – tha ai, “të raportoj për gjendjen e Shteteve të Bashkuara – përmirësimi i tyre është detyra e të gjithëve ne.” 

Sonte, falë kurajës dhe vendosmërisë së popullit amerikan, ka mjaft përparim për të raportuar. Pas një dhjetëvjeçari lufte të mundimshme, burrat dhe gratë tona trima nën uniformë po kthehen në shtëpi. Pas disa vitesh rënie ekonomike rraskapitëse, bizneset tona kanë hapur mbi gjashtë milionë vende të reja pune. Blejmë më shumë makina amerikane nga sa kemi blerë në pesë vitet e fundit dhe më pak naftë të huaj nga sa kemi blerë në 20 vitet e fundit. Tregu ynë i banesave po rimëkëmbet, tregu i aksioneve po rikthehet në gjendjen e tij dhe konsumatorët, pacientët e pronarët e shtëpive kanë tani mbrojtje më të fortë se asnjëherë. 

Pra, së bashku kemi larguar rrënojat e krizës, dhe mund të themi me besim të rikthyer se gjendja e Shteteve të Bashkuara është më e fuqishme. 
Por, mblidhemi këtu duke e ditur se ka miliona amerikanë puna dhe përkushtimi i të cilëve nuk janë shpërblyer akoma. Ekonomia jonë po shton vende pune – por shumë njerëz nuk munden akoma të gjejnë punë me orar të plotë. Fitimet e korporatave kanë kapur lartësitë më të mëdha të të gjitha kohërave – por për më shumë se një dhjetëvjeçar rrogat dhe të ardhurat nuk kanë pësuar ndryshim. 

Është detyra e brezit tonë, atëherë, të rindezë motorrin e vërtetë të rritjes ekonomike të Amerikës – klasën e mesme të re e në lulëzim. 

Çdo dollar që investojmë në arsim të cilësisë së lartë për fëmijë mund të na kursejë më shumë se shtatë dollarë më vonë – duke ngritur shkallën e diplomimit, ulur rastet e shtatzanisë në adoleshencë, madje edhe duke ulur krimet e dhunshme. Në shtetet që vendosin përparësi në arsimin e fëmijëve tanë më të vegjël, si Xhorxhia dhe Oklahoma, studimet tregojnë se nxënësit rriten më të prirur për lexuar e bërë llogari matematikore sipas nivelit të klasës, marrin deftesat e lirimit, gjejnë punë, krijojnë familje më të qëndrueshme më vete. E dimë që kjo funksionon. Atëherë le të bëjmë atë gjë që funskionon dhe të sigurojmë se asnjë prej fëmijëve tanë të mos ë nisë garën e jetës mbas. Le t’ua japim këtë mundësi fëmijëve tanë. 

E dimë që kemi ekonomi më të fortë kur shpërblejmë punën e ndershme të një dite të gjatë me pagë të ndershme. Por, sot një punonjës me orar të plotë me pagë minimale fiton 14 500 dollarë në vit. Edhe me lehtësimin nga taksat që kemi vendosur, një familje me dy fëmijë që ka të ardhura sa një pagë minimale akoma jeton nën kufirin e varfërisë. Kjo nuk është e drejtë. Prandaj, që prej herës së fundit që ky kongres ka rritur pagën minimale, 19 shtete kanë zgjedhur ta çojnë më lartë të tyren. 
Le te deklarojmë sonte se në kombin më të pasur në tokë, të mos ketë asnjë që punon me orar të plotë që jeton në varfëri, dhe ta ngremë pagën minimale në nivel federal në 9, 00 dollarë në orë. Duhet të arrijmë ta bëjmë këtë. 

Sonte qëndrojmë të bashkuar në përshëndetjen e trupave dhe civilëve që sakrifikojnë çdo ditë për të na mbrojtur. Prej tyre ne mund të themi me besim se Amerika do të përmbushë misionin e saj në Afganistan dhe do të arrijmë objektivën tonë për të mposhtur bërthamën e al Kaedës. 
Deri tani kemi rikthyer 33 000 nga gratë dhe burrat tanë trima në shërbim. Këtë pranverë forcat tona do të kalojnë në rol mbështetës, ndërsa drejtimin do ta marrin forcat afgane të sigurisë. Sonte mund të deklaroj se përgjatë vitit të ardhshëm edhe 34 000 trupa te tjera amerikane do të kthehen nga Afganistani. Kjo tërheqje do të vazhdojë dhe deri në fund të vitit do të ketë përfunduar lufta jonë në Afganistan. 

Përkushtimi i Amerikës për një Afganistan të bashkuar dhe të pavarur do të vazhdojë përtej vitit 2014, por natyra e përkushtimit tonë do të ndryshojë. Po negociojmë një marrëveshje me qeverinë afgane që përqendrohet në dy misione – trajnim dhe pajisje të forcave afgane në mënyrë që vendi të mos bjerë sërish në kaos, dhe përpjekje kundër terrorrizmit që do të na mundësojnë të ndjekim mbetjet e al Kaedës dhe filialeve të tyre. 

Sot organizata që na sulmoi në 11 shtator është veçse një hije e vetes së saj. Është e vërtetë që kanë dalë filiale të al Kaedës dhe grupe ektremistësh – që nga Gadishulli Arabik deri në Afrikë. Kërcënimi që përbëjnë këto grupe po zhvillohet. Por, për t’u përballur me këto kërcënime nuk është nevoja të dërgojmë dhjetëra mijëra djem dhe vajza tonat jashtë shtetit apo të pushtojnë vende të tjera. Përkundrazi, do të na duhet të ndihmojmë vende si Jemeni, Libia dhe Somalia që të mundësojnë sigurinë e tyre dhe të ndihmojmë aleatët që përkrahin luftën kundër terrorizmit, siç kemi bërë në Mali. Dhe atje ku është e domosdoshme, nëpërmjet një game mundësish, do të vazhdojmë të marrim masa të drejtpërdrejta kundër terroristëve që përbëjnë kërcënimin më të rëndë për amerikanët. 

Tani, ndërsa bëjmë këtë, duhet të listojmë vlerat tona në betejë. Për këtë arsye administrata ime ka punuar pa u lodhur për të ndërtuar një kuadër të qëndrueshëm ligjor dhe politikash për të drejtuar përpjekjet tona kundër terrorizmit. Gjatë gjithë kësaj e kemi informuar kongresin plotësisht për pëpjekjet tona. E përligj faktin se në demokracinë tonë askush nuk duhet të besojë vetëm fjalën time se po i bëjmë gjërat në mënyrën e duhur. Prandaj, në muajt në vijim, do të vazhdoj të përfshij kongresin për të siguruar se përcaktimi, ndalimi dhe ndjekja penale e terrorizmit do të jenë jo vetëm në përputhje me ligjet tona dhe sistemin e kontrollit dhe barazpeshimit, por edhe se përpjekjet tona do të jenë akoma më transparente ndaj popullit amerikan dhe botës. 

Sfidat tona sigurisht nuk mbarojnë me al Kaedën. Amerika do të vazhdojë të jetë në krye të përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e armëve më të rrezikshme të botës. Regjimi në Korenë e Veriut duhet të dijë se do të mund të arrijnë sigurinë dhe begatinë e tyre vetëm duke përmbushur detyrimet e tyre ndërkombëtare. Provokime të tipit të atyre që pamë një natë më parë vetëm sa do t’i izolojnë më tepër, ndërsa ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë, fuqizojmë mbrojtjen tonë me predha dhe udhëheqim botën në marrjen e masave të prera në reagim të këtyre kërcënimeve. 

Po kështu, drejtuesit e Iranit duhet të kuptojnë se ka ardhur koha tashmë për zgjidhje diplomatike, sepse koalicioni është i bashkuar në kërkesën që i bëjnë për të përmbushur detyrimet e tyre dhe do të bëjnë gjithçka që nevojitet për të mos lejuar ata të marrin armë bërthamore. 

Ne të njëjtën kohë, do të përfshijmë Rusinë për të kërkuar pakësime të mëtejshme në arsenalin tonë bërthamor, dhe do të vazhdojmë të udhëheqim përpjekjet globale për të siguruar materialet bërthamore që mund të bien në duar të gabuara – sepse aftësia jonë për të ndikuar të tjerët varet nga gatishmëria jonë për të udhëhequr e përmbushur detyrimet tona. 
Amerika duhet të përballet gjithashtu me kërcënimin me rritje të shpejtë nga sulmet kibernetike. E dimë që hakerat vjedhin identitetet e njerëzve dhe ndërhyjnë në postën personale elektronike. E dimë se kompanitë dhe vendet e huaja godasin sekretet tona të përbashkëta. Tani armiqtë tanë po kërkojnë edhe mundësi për të sabotuar rrjetin e pushtetit tonë, institucionet tona financiare, sistemet tona të kontrollit ajror. Nuk mundemi të kthejmë sytë mbrapa pasi të kalojnë vite e të pyesim veten përse nuk bëmë asgjë përballë kërcënimeve të vërteta ndaj sigurisë dhe ekonomisë sonë. 

Për këtë arsye, sot firmosa një urdhër të ri ekzekutiv i cili do të fuqizojë mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike duke rritur ndarjen e informacionit e zhvilluar standarde për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare, vendet tona të punës dhe privacinë tonë. 
Por, edhe kongresi duhet të veprojë gjithashtu duke miratuar ligje që i japin më shumë mundësi qeverisë sonë të sigurojë rrjetet tona dhe të frenojë sulmet. Këtë gjë duhet të arrijmë ta bëjmë mbi paza dypartiake. 

Tani, edhe ndërsa mbrojmë popullin tonë, duhet të mbajmë mend se bota e sotme paraqet jo vetëm rreziqe, jo vetëm kërcënime, por edhe mundësi. Synimi ynë është të përmbushim negociata mbi Partneritet Trans-Paqësor për të nxitur eksportet amerikane, mbështetur vendet e punës në Amerikë dhe niveluar fushën e lojës në tregjet në rritje të Azisë. Dhe sonte po ju njoftoj se do të nisim bisedimet mbi Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimit me Bashkimin Europian – sepse tregia e drejtë dhe e lirë përmes Atlantikut mbështet miliona vende pune në Amerikë të paguara mirë. 
E dimë gjithashtu se përparimi në pjesët më të rrënuara të botës sonë na pasuron të gjithëve – jo vetëm duke krijuar tregje të reja, rend më të qëndrueshëm në rajone të caktuara të botës, por edhe sepse është gjëja e duhur për t’u bërë. Në shumë vende njerëzit jetojnë me pak më shumë se një dollar në ditë. Prandaj Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me aleatët tanë për të shkatërruar këtë varfëri të skajshme në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm duke lidhur më shumë njerëz në ekonominë globale; duke fuqizuar gratë; duke u dhënë mendjeve tona të reja e të mprehta mundësi të reja për të shërbyer, dhe duke ndihmuar bashkësitë të ushqejnë, fuqizojnë dhe edukojnë veten; duke ruajtur fëmijët e botës nga vdekjet e shmangshme dhe duke realizuar premtimin e një brezi pa SIDA, gjë që është e arritshme për ne. 

E shikoni që Amerika duhet të mbetet fener për të gjithë ata që kërkojnë lirinë gjatë kësaj periudhe ndryshimesh historike. E pashë fuqinë e shpresës vitin e kaluar në Rangun, në Burma, kur Aung San Suu Kyi mirëpriti një president amerikan në shtëpinë ku kishte qenë e burgosur për vite; kur mijëra burmezë u rreshtuan në rrugë duke valëvitur flamuj amerikanë, përfshirë edhe një burrë i cili tha: “Ka drejtësi dhe rend në Shtetet e Bashkuara. Dua që vendi im të jetë i tillë.” 

Në mbrojtje të lirisë sonë do të mbetemi spiranca e aleancave të fuqishme nga Amerikat deri në Afrikë; nga Europa deri në Azi. Në Lindjen e Mesme do të qëndrojmë në mbështetje të vendasve ndërsa ata kërkojnë të drejtat e tyre universale dhe do të mbështesim kalimet e qëndrueshme drejt demokracisë. 

E dimë që procesi do të jetë i rrëmujshëm, nuk mund t’i lejojmë vetes të diktojmë rrjedhën e ndryshimit në vende si Egjipti, por mundemi të këmbëngulim – dhe do ta bëjmë këtë – për respektimin e të drejtave themelore të gjithë njerëzve. Do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni mbi regjimin sirian i cili ka vrarë popullin e vet, dhe do të mbështesim drejtuesit e opozitës që respektojnë të drejtat e çdo shtetasi sirian. Dhe do të qëndrojmë të patundur me Izraelin në kërkim të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme. 

Këto janë mesazhet që do të çoj kur të shkoj në Lindjen e Mesme muajin e ardhshëm. Dhe e gjithë kjo punë varet nga kuraja dhe sakrifica e atyre që shërbejnë në vendet e rrezikshme duke marrë përsipër rrezik të madh vetjak – diplomatët tanë, oficerët tanë të sigurisë dhe burrat e gratë në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Për sa kohë do të jem Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, do të bëjmë gjithçka nevojitet për të mbrojtur ata që i shërbejnë vendit të tyre jashtë kufijve, dhe do të vazhdojmë të kemi ushtrinë më të mirë që ka njohur ndonjëherë bota. 

Do të investojmë në aftësi të reja, ndërsa pakësojmë ndërkohë mbetjet dhe shpenzimet e luftës. Do të sigurojmë trajtim të barabartë për të gjithë ata në shërbim, dhe përfitime të barabarta për familjet e tyre – qofshin ata heteroseksualë apo homoseksualë. Do të marrim zemër nga kuraja dhe aftësitë e motrave, vajzave dhe nënave tona sepse gratë kanë provuar kur kanë qenë nën sulm se janë gati të luftojnë. 

Do t’i jemi besnikë veteranëve tanë duke investuar në kujdes shëndetësor elitar, përfshirë këtu edhe shëndetin mendor, për luftëtarët tanë të dëmtuar – duke mbështetur familjet e ushtarakëve tanë; duke u dhënë veteranëve tanë përfitimet dhe arsimin e mundësitë për punë që i kanë fituar vetë. Dua të falënderoj gruan time, Mishelën, dhe Dr. Xhill Baiden për përkushtimin e tyre të vazhduar në shërbim të familjeve tona ushtarake po aq mirë sa na kanë shërbyer ato ne. Falemnderit, zemër. Falemnderit Xhill. 
Megjithatë, mbrojtja e lirisë sonë nuk është detyrë vetëm e ushtrisë sonë. Të gjithë duhet të bëjmë punën tonë për të siguruar se të drejtat tona të dhëna nga Perëndia janë të mbrojtura në vend. Kjo përfshin një prej të drejtave më themelore të një demokracie: të drejtën e votës. Kur një amerikani, pavarësisht se ku jeton apo çfarë partie i përket, i mohohet kjo e drejtë sepse nuk mund të presë për pesë apo gjashtë apo shtatë orë për të hedhur votën, ne po tradhtojmë idealet tona. 

Prandaj, sonte po ju bëj me dije një komision jopartiak për përmirësimin e përvojës së votimit në Amerikë. Dhe kjo kategorikisht ka nevojë për përmirësim. Po u kërkoj dy ekpsertëve me përvojë të gjatë në këtë fushë – të cilët, meqë ra fjala kanë shërbyer së fundmi si përfaqësuesit kryesorë ligjorë në fushatën time dhe në fushatën e guvernatorit Romni – të udhëheqin këtë punë. Këtë mundemi ta rregullojmë, dhe do ta bëjmë. Këtë e kërkon populli amerikan dhe demokracia jonë. 

Sigurisht që ajo që thashë sonte nuk ka shumë rëndësi nëse nuk bashkohemi për të mbrojtur burimin tonë më të çmuar: fëmijët tanë. Kanë kaluar dy muaj që nga tragjedia e Njutaunit. E di që nuk është hera e parë që ky vend ka diskuatuar si të ulë dhunën me armë. Por, kjo herë është ndryshe. Një pjesë dërrmuese e amerikanëve – amerikanët që besojnë në amendamentin e dytë të kushtetutës – janë bashkuar rreth reformës së arsyeshme, si për shembull kontrolle të historikut të personit, të cilat e vështirësojnë mundësinë që kriminelët të mund të sigurojnë armë. Senatorë nga të dyja partitë po punojnë së bashku për ligje të reja më të rrepta për parandalimin e kujtdo që blen armë për t’ua rishitur kriminelëve. Drejtuesit e policisë po kërkojnë ndihmën tonë për të larguar nga rrugët armë lufte dhe karikatorë municioni masiv sepse këta shefa policie, sepse ata janë lodhur duke parë se si djemtë dhe vajzat e tyre janë më pak të armatosur. 

Secili prej këtyre propozimeve meriton një votë në kongres. Nëse dëshironi të votoni kundër, kjo është zgjedhja juaj. Por, këto propozime meritojnë një votë. Sepse në dy muajt që kanë kaluar që nga tragjedia e Njutaunit, mbi një mijë ditëlindje, diplomime, përvjetorë na janë vjedhur nga jeta jonë prej një arme – mbi një mijë. 
Një prej atyre që humbëm ishte një vajzë e re me emrin Hadia Pendëlton. Ishte 15 vjeçe. Pëlqente shumë biskotat me fiq dhe shkëlqyesit e buzëve. Ishte kërcimtare. Ishte aq e mirë me shokët dhe shoqet sa të gjithë mendonin se e kishin shoqe të ngushtë. Vetëm tre javë më parë ajo ishte këtu në Uashington me shokët e saj të klasës, ku luajtën për vendin e tyre në ceremoninë e marrjes së detyrës nga unë. Dhe një javë më pas, ajo u vra me armë në një park në Çikago pas shkollës, vetëm një milje (1,6 kilometra) larg shtëpisë sime. 
Prindërit e Hadias, Neiti dhe Kleo, janë sonte në këtë sallë, bashkë me dhjetëra amerikanë jetët e të cilevë janë copëtuar nga dhuna e armëve – ata meritojnë një votë të thjeshtë. Ata meritojnë një votë. Gebi Gifords meriton një votë. Familjet e Njutaunit meritojnë një votë. Familjet e Aurorës meritojnë një votë. Familjet e Oak Krik dhe Tukson dhe Bleksbërg, dhe bashkësi të tjera të panumërta të copëtuara nga dhuna e armëve – ato meritojnë një votë të thjeshtë. Ato meritojnë një votë të thjeshtë. 

Veprimet tona nuk do të parandalojnë çdo veprim të pallogjikshëm dhune në këtë vend. Në fakt, asnjë ligj e asnjë nismë, asnjë veprim administrativ nuk do të zgjidhë në mënyrë të përkryer të gjitha sfidat që kam paraqitur këtu sonte. Por, asnjëherë nuk jemi dërguar këtu sepse jemi të përkryer. Jemi dërguar këtu të sjellim ndryshimin që mundemi të sjellim, të sigurojmë këtë komb, të zgjerojmë mundësitë, të mbajmë lart idealet tona nëpërmjet punës së madhe, shpesh të lodhshme e zhgënjyese, por absolutisht të domosdoshme për vetëqeverisje. 
Jemi dërguar këtu të kujdesemi për bashkështetasit tanë amerikanë në të njëjtën mënyrë si ata kujdesen për njëri-tjetrin, çdo ditë, shpesh pa bujë në gjithë vendin. Duhet të ndjekim shembullin e tyre. 

Duhet të ndjekim shembullin e infermieres nga Nju Jork Siti me emrin Mençu Sançez. Kur uragani Sendi e pllakosi në errësirë spitalin e saj, ajo nuk po mendonte se ç’po bëhej në shtëpinë e saj. Mendja e saj ishte te 20 të porsalindurit e çmuar në pavionin e saj dhe plani i shpëtimit që sajoi ajo i shpëtoi të gjithë. 
Duhet të ndjekim shembullin e një gruaje nga Majemi verior me emrin Desilin Viktor. Kur Desilin mbërriti në vendin ku duhej të votonte, i thanë se pritja për të votuar mund të ishte deri në gjashtë orë. Dhe ndërsa koha kalonte minutë për minutë, shqetësimi i saj nuk ishte për trupin e saj të lodhur e këmbët që i dhembnin, por nëse njerëz si ajo do të kishin mundësi të thoshin fjalën e tyre. Dhe orë pas ore, një grup njerëzish mbajtën radhën në mbështetje të saj – sepse Desilin është 102 vjeçe. Dhe të gjithë shpërthyen në brohoritje kur ajo më në fund vendosi etiketën që thoshte: “Unë votova.” 

Duhet të ndjekim shembullin e oficerit të policisë me emrin Brajan Mërfi. Kur një i armatosur hapi zjarr mbi një tempull Sikh në Uiskonsin dhe Brajani mbërriti atje i pari, ai nuk u shqetësua për veten e tij. Ai luftoi derisa i erdhi ndihma dhe urdhëroi kolegët e tij policë të mbronin sigurinë e amerikanëve që po adhuronin brenda edhe në momentet kur ishte i shtrirë e i gjakosur nga 12 plagët e plumbave. Dhe kur e pyetën si e bëri këtë, Brajan tha: “Kështu jemi bërë ne.” 

Kështu jemi bërë ne. Mund të bëjmë punë të ndryshme dhe të veshim uniforma të ndryshme, si edhe të kemi pikëpamje të ndryshme nga personi në krahun tonë. Por, si amerikanë të gjithë kemi një titull të përbashkët krenarie – jemi bashkështetas. Është fjalë që nuk përshkruan vetëm kombësinë tonë apo gjendjen tonë ligjore. Ajo përshkruan mënyrën si jemi bërë. Përshkruan atë që ne besojmë. Ajo përfshin idenë e qëndrueshme se ky vend funskionon vetëm kur pranojmë detyrime të caktuara ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave të ardhshëm, se të drejtat tona janë të mbështjella në të drejtat e të tjerëve; se edhe në shekullin tonë të tretë si komb mbetet detyrë e të gjithëve ne, si qytetarë të Shteteve të Bashkuara të jemi autorët e kapitullit të madh të radhës në historinë tonë amerikane. 

Faleminderit. Perëndia ju bekoftë e bekoftë gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

* Fjalimi i Përvitshëm i Presidentit mbi Gjendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbajtur dje në Kongresin e SHBA