TIRANE, 9 korrik 2013 – Trashëgimia kulturore në vendin tonë prej disa vitesh po përballet me shkatërrimin dhe braktisjen që i kanë bërë institucionet përgjegjëse. Ministria e Kulturës përballë kësaj panorame të mjerueshme, ku mes shumë dëmtimeve nuk mungojnë dhe grabitje të objekteve më me vlerë të trashëgimisë, sipas specialistëve duket se është një institucion që me politikat e saj ka dështuar në trashëgiminë kulturore.
Edhe pse dikasteri ministror herë pas here mundohet të gjejë jo pak justifikime për këtë që po ndodh në trashëgiminë kulturore, sipas specialistëve ajo që po ndodh bën përgjegjëse këtë dikaster. Vetëm para disa kohësh u fol për Amfiteatrin e Durrësit, ku organizata “Europa Nostra” e cilësoi mes objekteve më të rrezikuara të Europës, dhe sikur të mos mjaftonte kjo vetëm para disa ditësh specialistët denoncuan në Butrint gërmimet që janë bërë jashtë standardeve, duke reaguar dhe për eskavatorin për të mbuluar monumentet e kulturës.
Por vetëm para disa ditësh MTKRS në një deklaratë zyrtare, edhe pse e cilësonte si të rëndësishëm faktin që amfiteatri do të përfitonte fonde për restaurim pas vendimit të “Europa Nostra”, dukej se “shiste” si sukses dhe shkatërrimin e tij ndër vite. Për arkeologun dhe muzeologun e njohur Moikom Zeqo një nga zërat më kritikë ndaj MTKRS për shkatërrimin që po ndodh sot në monumentet e kulturës, reagimi i MTKRS është justifikues, sepse problemi kryesor është në substancë pse Amfiteatri i Durrësit arriti në gjendjen katastrofike për t'u shpallur si një nga monumentet më të rrezikuar në botë.
“Kjo gjë nuk ndodhi për një vit, por për shumë kohë të gjatë, konkretisht për 8 vjet kjo MTKRS ka bërë gjumin e madh, për shkak të indiferencës dhe të inkompetencës së mjerueshme. Ajo është përgjegjëse pse për Amfiteatrin e Durrësit nuk është bërë gati asgjë, përkundrazi. Nëse ka pasur një projekt individual nga një shoqatë për amfiteatrin kjo nuk do të thotë asgjë, sepse është vetëm autoriteti dhe prognoza shkencore e “Europa Nostra” që e bëri shpalljen e monumentit si më nga të rrezikuarit në botë”, pohon arkeologu Moikom Zeqo.
Më tej arkeologu Zeqo shton se MTKRS mund të bënte shumë gjëra ndaj amfiteatrit, por ajo tregoi indiferencë të madhe.
“A mund ta bënte diçka për këtë amfiteatër ?Po, mund të bënte shumë gjëra, por në thelb nuk bëri, por u tregua indiferente, madje më një indiferencë të dënueshme dhe kriminale. MKRTS është më keq se sa tërmetet e dikurshëm apo të ardhshëm të Durrësit, sepse i mungon vetëdija kombëtare për të mbrojtur trashëgiminë kulture të Shqipërisë. Duke mos bërë asgjë për monumentet bën pozën delirante të mburravecllëkut primitiv që vendimin e “Europa Nostras” ta përvetësojë si meritë ( të pamerituar hiç) për Amfiteatrin e Durrësit”, vijon arkeologu Zeqo.
/SOT/





