Nga BUJAR QESJA
E shtuna e 18 marsit 2023 , erdhi e bukur, si vetë shpirti i vlonjatit që po na mblidhte. Mezi po e prisja të takoheshim me yjet e sportit vlonjat, të futbollit, të basketbollit, të volejbollit, të atletikës etj. E kisha planifikuar rrugën për në Vlorë, me dy miq të respektuar. Njërin Fatmir Eficën të kahershëm dhe tjetrin Klodian Bajazitin të ri, por të një fisi të njohur. Klodiani është djali i mjekut me peshë në Kavajë Lirim Bajazitit dhe nipi i dy futbollistëve mëse të çquar Xhemil dhe Dashnor Bajaziti. Efica dhe Bajaziti Klodian, janë pjesë e sektorit të sporteve në Bashkinë e Kavajës.
Një durrësak dhe dy kavajas, përbënin delegacionin simpatik që vinte nga “Adriatiku”, për t’iu bashkuar vlonjatëve të detit “Jon”. “Adriatiku” dhe “Joni” dy dete të përkëdhelura për shqiptarët, ashtu siç janë pikantë Durrësi, Vlora dhe Kavaja. Miku im i vjetër, vlonjati i fortë, gazetari i paepur, zëri më përfaqësues i radiokronikës vlonjate, 67 vjeçari Moisi Dalipi është në gëzim. Me shumë mund dhe përpjekje, arriti të botojë librin “Yje në fushën time”, duke shkruar për 50 figura të nderuara, që i përkasin degëve të ndryshme të sportit, kryesisht të vendlindjes së tij.
Të parin që takuam ishte presidenti i futbollit të “Flamurtarit” Sinan Idrizi dhe pas kësaj deti “Jon” kishte vërshuar në sallën e hotel “Partner”. Vura re, që fuqia e Moisi Dalipit nuk ishte vetëm në mikrofon dhe në faqet e gazetave, por edhe për të provokuar zjarrin e fuqishëm vlonjat, që ka përvëluar në sa e sa vite kundërshtarët.
“Yjet në fushën time”! Po Moisi, yjet në Vlorë kanë qenë, mbeten dhe do të jenë gjithnjë në fushën tënde. Libër lyer me ngjyrën e njohur të “Flamurtarit”, që është edhe ngjyra e flamurit tonë kombëtar kuqezi. Nëpërmjet 400 faqeve, çfaqen yjet, që vezullojnë në qiellin e kthjellët të sportit vlonjat. Përdora një krahasim teksa m’u dha rasti të thoja dy fjalë para atij auditorin.
– Moisi Dalipit edhe analiza e gjakut i del “Flamurtari”, aq i lidhur dhe aq shumë i ka dhënë sportit të këtij qytetit. Dalipi ynë, i mënçur dhe shpirtmadh edhe zërin e la peng në transmnetimet sportive, teksa shprehte me shumë pasion, me shumë shpirt, me shumë entuziazëm ecurinë e futbollit. Operacioni në laring kaloi me sukses dhe Moisiu, kolegu ynë i hershëm mbetet pjesë e jona, ashtu aktiv dhe energjik si zakonisht.
Libri i Moisiut , nën redaktimin e gazetarit me përvojë Fatmir Mneri, trajton dhe merret me shumë figura të njohura të futbollit, yje të historisë së topkëmbës vlonjate dhe kombëtare, duke i vendosur në historinë e pacënuar të botimeve.
Formacionet historike të “Flamurtarit” të famshëm në vite, janë rikrijuar në librin e Moisi Dalipit, duke ia riçfaqur krenarinë dhe personalitetin. Kështu me Bejkush Birçen, Mexhit Haxhiun, Kreshnik Çipin, Rrapo Tahon, Vasil Rucin, Skënder Elmazin, Sokol Kushtën, Daniel Xhafajn, Adrian Aliajn, Petro Rucin, Roland Iljadhin, Latif Gjondedën, Leonidha Çurin, Alfred Ferkon, Agron Sulajn, Agim Bubeqin, Ervin Skelën, Franc Veliun, Uran Xhafën, Eqerem Memushin, Aqif Sulon, Beniamin Nelajn, Geri Çipin.
Krahas futbollit, syrit të gazetarit vlonjat Moisi Dalipi nuk i shpëtojnë edhe figura të tjera madhore të sportit vlonjat, si volejbollisti dhe trajneri Todi Driza, mitiku i basketbollit Petrit Stefa, çiklisti Muharrem Ahmeti, basketbollisti Viktor Papavangjeli, Meçanët e vrapimit, basketbollistja Elona Hasanaj. Libri më pas kalon nga sporti vlonjat, në yje të sportit shqiptar si zëri i artë i mikrofonit Ismet Bellova, futbollistët Iljaz Çeço i “Dinamos”, Teodor Vaso i “Skëndërbeut”, Përpartim Kovaçi i “Tomorit”, Mihal Gjika i “Labinotit”, Muhedin Targaj i “Dinamos”, Harun Dojaku kocka e volejbollit të femrave, Frederik Fico mjeshtri i mikrofonit gjirokastrit dhe jo vetëm, Krenat Alimehmeti i “Tiranës”, gjyqtari i mirënjohur Faik Bajrami, Gazhelët e futbollit lushnjar, futbollisti tepelenas Ilir Selimi etj.
Promovimi i librit të Moisi Dalipit, preku tërë qytetin. U kthye në manifestim të demostrimit të traditave, duke revokuar kohën e “Flamurtarit” të madh, “Flamurtarit” plot trofe e titullarë me kostum kampionësh. Dëgjuam zërin e Mexhit Haxhiut, të Kreshnik Çipit, Daniel Xhafës, Anesti Arapit, të legjendës së volejbollit Todi Driza, të, të… U duk sikur e tërë Vlora festonte dhe gëzonte për “Yjet në fushën time”. Vasil Ruci i dorëzon fanelen e hershme të “Flamurtarit” Moisi Dalipit dhe redaktorit të librit, gazetarit me përvojë Fatmir Mneri.
Dalipi përkundej në vlerat e një pune pasionante, nxitëse në 100 vjetorin e krijimit të Shoqatës Sportive “Flamurtari”. Moisiu dhe sportistët vlonjatë luajtën në dy fusha të ndryshme, por me qëllim të përbashkët. Sportistët në fushën e lojës, e Dalipi në fushën e publiçistikës, duke folur e shkruar një jetë të tërë për kuqezinjtë e labërisë. Jam i sigurtë që kjo festë tërheqëse, i dha më shumë qendrëse jetësore dy më të vjetërve të futbollit të qytetit, 94 vjeçarit Pandeli Opingari dhe 87 vjeçarit Skënder Elmazi.
“Yje në fushën time”! Moisi Dalipi me penën e tij, kalëron i sigurtë në arenën me ngjyra ndezëse të arritjeve më të mira të sportit vlonjat, duke prekur degë të veçanta të tij. Gazetari i njohur Bashkim Tufa, pohoi se” vinim shpesh në Vlorë, sepse këtu ishte zhvillimi i sporteve”. Grupi i radikronistëve të Radio Tiranës, i uroj kolegut të tyre sa më shumë shëndet, pasi Dalipi kaloi me sukes opreacion delikat në laring, ku mjekët e kthyen në jetë dhe në punë.
Folën, respektuan punën e kryer në këtë libër historik të Moisi Dalipit, i bën jehonë traditës dhe vlerës së sportit vlonjat në vite, nga Prefekti Flamur Mamaj, Kryetari i Qarkut Ervis Moçka, Kryetari i Bashkisë Dritan Leli, deputeti Bujar Leskaj dhe personalitete të tjera të Vlorës. Delegacioni i ardhur nga Federata Shqiptare e Futbollit përbërë nga Lutfi Nuri, Tritan Kokona dhe Krenar Alimehmeti, i dhuruan autorit të librit “Yje në fushën time”, buqetë me lule të freskëta të pranverës, top futbolli dhe fanelën simbolike me numur 10. Në vijën sulmuese, luan gjithnjë me shkrimet e tij, pena e fortë dhe e ndjerë e Moisi Dalipit.
Folën kolegët e Moisiut të radiokronikës si Rrok Preçi, Fatmir Efica, Sara Xhidia, Ilia Mustaqi, Isuf Myrtaj, Enriko Gabaj, Mentor Sopjani, të cilët dhanë kujtimet e tyre nga përvoja dhe veprimtaria itensive e Dalipit në transmetimet sportive. Ngjalli interes dhe përshëndetja e radikornistes së re nga Laçi, 18 vjeçares Sara Xhidia.
Daniel Xhafa përshnëdeti nga Amerika. Mjaft i vëmëndëshëm dhe me veshje profesionisti, moderimi nga aktivi i gazetarisë sportive Defrim Methasani. Homazh për yjet e futbollit të “Flamurtarit” që nuk jetojnë. U kujtuan Agron Sula, Petro Ruci, Alfred Zijaj, gjyqtari Faik Bajramaj, Cane Ahmeti, Babaëe Ferko, Pandeli Xhaho, etj.
Moisi Dalipi është në çastet më emocionuese të jetës. Ai vetë është një yll, ndërmjet yjeve të sportit. Falenderimet nuk sosen, kur është fjala për atë që bëri të mundur botimin e kësaj historie të çmuar të sportit vlonjat, Lutfi Nuri. Falenderimet dhe mirënjohja shkojnë edhe për familjen, për miqtë, shokët, kolegët, sportëdashësit e flaktë vlonjatë. Zëri i Dalipit është plot nerv, si vetë futbolli që luajtën në vite yjet e “Flamurtarit”. Transmetimet, publiçistika dhe librat e Moisi Dalipit, mbeten kurdoherë vlera dhe arritje historike, që kanë ecur paralelisht me progresin e sporteve të “Flamurtarit”.
Moisi Dalipi është zëri më i fuqishëm, më kumbues, më profesisonist, më mbrojtës i sporteve të “Flamurtarit”, duke mbetur edhe më pas jehona më e madhe, më e prekëshme, më e arrirë në historinë e këtij klubi. 100 vite sporte në Vlorën e qytetëruar.
Dhe në mjedisin entuziast dhe festiv të kremtimeve të këtij 100 vjetori, botimi më i fundit “Yje në fushën time”, mbetet si qershija mbi tortë. Ai kthehet si ndriçim gjigand, duke i dhënë shkëlqim, arritjeve më të mira të sportit vlonjat në këto 100 vite.
Suksese gazetarit dhe botuesit Moisi Dalipi! Gëzuar Vlora, 100 vjetorin e krijimit të shoqatës sportive “Flamurtari”!
Durrës: 22 mars 2023