TIRANË – Një ditë pas gjetjes në një kazan mbeturinash të një fetusi fëmije disa muajsh drejtoresha ematernitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një fetus të abortuar në muajin e tretë të shtatzanisë, por për një foshnje të formuar tashmë.

“Foshnja që u gjet dje është mbi 23 javëshe, pra dyfishi i periudhës ligjore për abortim”,- tha Moisiu për News 24. 

Sipas saj mbetet për t’u zbuluar nëse bëhet fjalë për një foshnje të abortuar, apo për një lindje të parakohshme. Trupi i foshnjes po i nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore për të mësuar nëse ka qënë apo jo gjallë në momentin e abortit. 

Nga ana e saj policia po heton për të gjetur se kush janë personat që e kanë hedhur foshnjen në plehra. 

Fetusi u zbulua dje në një kazan mbeturinash në afërsi të spitalit Ushtarak në Tiranë nga disa kalimtarë të rastit. Në fillim u mendua se bëhej fjalë për një fetus 3 muajsh, i cili ishte hedhur në plehra pas abortit.