Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar zyrtarisht pas protestës së sotme para Bashkisë së Tiranës, ku mes të tjerash gazetarë dhe përfaqësues të medias u rrezikuan si pasojë e përdorimit të molotovit nga protestuesit.
Në reagimin zyrtar AMA shprehet se pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut.
AMA shton se autoritetet ligjzbatuese, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve.
Reagimi i plotë:
Reagim i Autoritetit të Mediave Audiovizive
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, përcolli me shqetësim sot paradite (28.05.2024), incidentin para godinës së Bashkisë së Tiranës, ku siguria e grupit të reporterëve dhe kameramanëve të medias u vu në rrezik si pasojë e përdorimit të lëndëve shpërthyese (molotov).
Pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut.
Autoritetet ligjzbatuese të rendit, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve.
Ju kërkojmë autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës.
Autoriteti i Mediave Audiovizive