NATO-ja  ka emëruar në postin e zëvendës sekretarit të përgjithshëm, Rose Gottemoeller, zyrtaren e lartë të departamentit të SHBA. Është hera e parë në histori që në këtë pozicion kaq të rëndësishëm vendoset një grua.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot në Bruksel, se Gottemoeller “do të sjellë në NATO një përvojë të pasur në politikën e sigurisë ndërkombëtare dhe në fushat siç janë kontrolli i armatimit dhe marrëdhëniet me Rusinë”.

Zëvendës-sekretari i përgjithshëm është posti i dytë më i lartë civil në NATO.

Stoltenberg tha se Gottemoeller do të jetë femra e parë që e ka mbajtur një post të tillë dhe ka vlerësuar se ky është “një moment historik në NATO”.

Aktualisht Gottemoeller është këshilltare e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, për kontroll të armatimit, mos-zgjerim dhe çarmatim, ka njoftuar NATO.

Në këtë post ajo zëvendëson, paraardhësin, Alexander Verbshoë, që ka shërbyer prej shkurtit të vitit 2012, transmeton rel.

NATO-ja tha se Gottemoeller do ta fillojë punën në postin e ri në muajin tetor.