Një trajnim rajonal për rritjen e kapaciteteve për grantet globale me pjesëmarrjen e rreth 100 personave nga të gjitha vendet e Europës Juglindore e Qendrore së bashku me rotarianët nga Shqipëria e Kosova, u mbajt në Durrës për herë të parë në këto përmasa kaq të mëdha nga organizata më e madhe shërbyese në botë, Rotary.
Një iniciativë e rëndësishme e rotarianëve, e cila synon rritjen e aftësive të klubeve të rajonit për të hartuar dhe implementuar projekte me impakt afatgjatë në shërbim të komuniteteve për përmirësimin e jetës së tyre.
Një moment historik për Rotary-n shqipfolës ishte dhe pjesëmarrja e presidentes së Rotary Ndërkombëtar, Stefanie Urchick, e cila vjen në vendin tonë për të asistuar në ecurinë e Distriktit rotarian Shqipëri- Kosovë 2485, duke i dhënë zë këtij distrikti në arenën ndërkombëtare për angazhimin e përbashkët në këto projekte humanitare.

“Çfarë e bëri më special këtë event është pjesëmarrja e presidentes së Rotary International Stefanie Urchick e cila rikonfirmoi suportin e saj për projekte të reja në rajonin tonë të cilat do të zhvillohen në të ardhmen. Ky trajnim konfirmoi dhe njëherë rëndësinë e madhe që kanë grantet globale në komunitetet tona duke pasur ndikime domethënëse dhe rëndësinë që kanë partneritetet ndërkombëtare në këtë aspekt”, tha kryetarja e Fondacionit Rotary për Distriktin Shqipëri-Kosovë, Ela Golemi.
Për Butrint Batallin, Guvernatorin e Distriktit Shqipëri- Kosovë 2485, po bëhet një punë kolosale nga të dyja klubet durrsake. E të njëjtin vlerësim për të gjitha projektet e finalizuara nga Rotary Club Durrës ndan edhe Neshad Asllani.
“Këto ditë ne po mikpresim me zemrën plot presidenten ndërkombëtare Stefanie Urchick, e cila i ka kushtuar një javë të plotë rotarianëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Këto ditë jemi duke vizituar të gjitha aktivitetet që klubet kanë ndërmarrë gjatë këtij viti në shërbim të komuniteteve në nevojë gjithandej që nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Prishtina, Gjakova, Peja etj.
Po bëhet një punë shumë e madhe nga dy klubet zbatuese që janë dy klubet durrsake dhe po presim që të kemi rezultate të mëtejshme në përgatitjen e kuadrove për përpilimin e projekteve dhe përfitimet nga fondacioni në dobi të komuniteteve në nevojë”, theksoi Butrint Batalli, Guvernator i Distriktit Shqipëri-Kosovë 2485.
“Rotary është organizatë e mrekullueshme, ju jeni me fat që keni dy klube në Durrës. Rotary bën shumë punë të mira për mbarë botën, por edhe në Durrës keni bërë shumë aktivitete, shumë projekte. Ky trajnim është i rëndësishëm se i bën njëfarë trajnimi, i lehtëson aplikimin për grante globale për fonde të cilat do të ndihmojnë klubet në Durrës edhe në Kosovë e krejt Evropën Juglindore se si të aplikojnë për grante globale”, u shpreh ndër të tjera Neshad Asllani.
Në përfundim të trajnimit presidentja Stefanie Urchick e shoqëruar nga të gjithë rotarianët e Durrësit u ndal në shëtitoren “Taulantia” për të parë nga afër dy fushat e basketballit, investim i Klubit Rotary Durrës për fëmijët e qytetit, nga ku theksoi edhe njëherë sodisfaksionin që ka marrë nga puna e distriktit, por edhe impresionet shumë të mira që i ka lënë vendi ynë.

“Ndodhem këtu sepse Presidenti i Rotary Ndërkombëtar ka një përgjegjësi për të frymëzuar dhe motivuar Rotarianët. Për mua, pjesa më e mirë e udhëtimit është se shoh se si po ndodhin projektet. Jam shumë-shumë e lumtur për atë që po ndodh në këtë distrikt, sepse vetëm pak vite më parë kishte rreth 400 anëtarë dhe sot janë me mijëra. Kjo do të thotë se ka një pasion real për Rotaryn dhe njerëzit janë gati për t’iu shërbyer komuniteteve. Ajo që më ka impresionuar më shumë në vendin tuaj është mikpritja e ngrohtë. Është e mrekullueshme dhe shpresoj që dhe kur të mbaroj detyrën time si presidente, mund të kthehem sërish dhe ta shoh vendin si një turiste”, tha për “DurrësLajm” Stephanie A. Urchick, Presidentja e Rotary Ndërkombëtar.

Me rastin e vizitës së presidentes Urchick, u bë dhe prezantimi i instalacionit “Embracing the Ether”, një vepër e konceptuar dhe realizuar nga arkitekti Indrit Hamiti, me teknikë inoksi dhe bronzi nën moton simbolike të rotarit “Të shërbesh përtej vetvetes”.