Durrës, 21 maj 2014 – Një plagosje me thikë ka ndodhur pasditen e sotme në shëtitoren “Taulantia” të Durrësit, në prani të dhjetra kalimtarëve, që i ka pushtuar paniku. Një 28 vjeçar nga fshati Qarisht i Librazhdit ka plagosur me thikë një të ri, i cili është dërguar me urgjencë në spital.
Policia e Durrësit ka prangosur autorin e plagosjes, 28 vjeçarin Dritan Bicaku, ndërkohë që po punohet për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Mendohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta dhe të dy palët kanë pasur mes tyre një debat, që më pas ka përfunduar me plagosje me thikë. Dritan Biçaku u kap nga policia në ikje e sipër, ndërsa ndodhej pranë Monumentit të Rezistencës. Fatmirësisht i riu i plagosur është jashtë rrezikut për jetën.
Televizioni A1 Report ka arritur të filmojë, personin e plagosur vetëm pak çaste pas ngjarjes. Ndërkohë që policia përpiqet të rikthejë normalitetin në qarkullim, i plagosuri qëndron në anë të trotuarit, në pritje të mbërritjes së amabulancës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





