I është dhënë paraditen e kësaj të premteje lamtumira e fundit 42-vjeçarit Bardhyl Kaloshi, i cili mëngjesin e një dite më parë humbi jetën tragjikisht në rrugën “Mujo Ulqinaku” pranë stadiumit të Durrësit
Babai i tre fëmijëve ishte duke lëvizur në këtë aks dhe, në tentativë për të kaluar rrugën e përmbytur nga uji, u kap në shtyllën e ndriçimit që shihni në videon e mëposhtme, dhe për shkak të energjisë elektrike humbi jetën.
“Rreth orës 07:15, në lagjen nr. 6, Durrës, shtetasi B. K., 43 vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka humbur jetën.”,– njoftoi policia një ditë më parë.

Jashtë kamerës, bizneset e zonës deklaruan se e kishin njoftuar autoritetet disa ditë më parë për rrezikun që paraqiste shtylla në fjalë, pasi që nga shirat e fundit ajo ishte kthyer në përcjellëse të energjisë elektrike dhe mund të kthehej në rrezik potencial për këdo.
Fati tragjik e deshi që aty të humbte jetën 42-vjeçari, që paravësisht se ju afruan disa kalimtarë të rastit ta ndihmonin, ishte e pamundur sepse rrezikonin dhe ata të humbin jetën nga kontakti me rrymën elektrike.
Në video duket momenti, kur 42-vjeçari është rrëzuar përtokë dhe dikush që i afrohet dhe e prek largohet menjëherë për shkak të kontaktit me energjinë elektrike.
Trupi i babait të tre fëmijëve qëndroi për më shumë se një orë në vendngjarje dhe vetëm më pas u largua nga aty. Nga i gjithë komuniteti i zonës Bardhyl Kaloshi njihej si një njeri shumë punëtor, i papërtuar dhe familjar i mirë.
Prokuroria nisi hetimet që ditën e enjte, menjëherë pasi rrethoi vendngjarjen me shiritat e sigurisë. Pritet që hetimet për rastin të zbardhin të gjithë dinamikën e ngjarjes tragjike.





