02 janar 2015 –  Supergoli në Portugali, flamuri në qiellin e Beogradit, heroizmi për të mbrojtur flamurin kombëtar, barazimi në Francë, festimi në Xhenova të Italisë… por edhe goli i pësuar në fund nga Danimarka, tradhtia e UEFA-s, goli i fundit nga Italia. Një vit i mbushur me ngjarje pikante, të bukura dhe të trishtueshme. Kombëtarja shqiptare këtë vit është duke jetuar një nga momentet më të arta të historisë. Me bindjen dhe me dëshirën për të arritur kualifikimin në kampionatin evropian “Francë 2016”. Janë luajtur gjithsej nëntë ndeshje, nga të cilat ekipi kuqezi ka arritur të fitojë tri prej tyre dhe ka humbur po aq ndeshje. Dy prej këtyre sfidave kanë përfunduar në barazim, ndërsa humbja më e madhe është ajo e UEFA-s. Gjithçka ka filluar në mars të viti 2014, ku ekipi i drejtuar nga De Biazi arriti ta nisë mbarë vitin me fitoren 2-0 ndaj Maltës. Një supergol i Alban Mehës dhe një tjetër i Migjen Bashës që treguan që në krye të herës se ky vit do të ishte ndryshe nga të tjerët. Pavarësisht fitores ajo ishte një ndeshje miqësore, që u pasua më vonë nga dy humbje të tjera. Një ndaj Hungarisë dhe Rumanisë. Ndeshje të shëmtuara, që e vunë De Biazin në shënjestër, ndërsa harruan që ishin thjesht miqësore. Buzëqeshja rikthehet me San Marinon, ndërsa prova e vërtetë është ndeshja e radhës.

Fitorja në Portugali

As tifozi më i çmendur i kombëtares shqiptare nuk e kishte menduar një fitore historike në Portugali. Kriza e ekipit luzitan të bënte të mendoje se kuqezinjtë mund të arrinin një mrekulli. Shpresat shtohen dhe bëhen akoma më konkrete, kur në pjesën e parë ekipi i vendosur me mjeshtëri në fushën e lojës nga ana e De Biazit bën një ndeshje spektakolare. Pjesa e dytë sjell mrekullinë “Balaj”. Momenti që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë. Roshi kroson, ndërsa sulmuesi shkodran me një lëvizje ‘alla-Ibra’ e ndal në rrjetë. Evropa pushtohet nga Shqipëria. Titujt e medieve ia dedikojnë hapësirën më të madhe fitores së Shqipërisë. Askush nuk e kishte menduar një nisje të tillë, që na bëri me krahë duke fluturuar drejt Francës.

…minutat e fundit

Pavarësisht arritjeve dhe ndeshjeve pozitive, minutat e fundit vazhdojnë të mbeten makth për kombëtaren shqiptare. Gjithçka u vërtetua në ndeshjen ndaj Danimarkës. Dominim total me rezultat dhe lojë, por një goditje dhe një gabim na kushtoi shumë. Ndeshja e luajtur në “Elbasan Arena” ishte vërtet një nga momentet më të bukura të vitit, edhe për faktin se luhej në një impiant të ri të futbollit shqiptar. Një barazim që u përjetua si një humbje, nisur nga momenti i ekipit kombëtar, por edhe nga mënyra se si erdhi. Megjithatë katër pikë në dy ndeshjet e para ishin vërtet shumë dhe mjaftueshëm për Shqipërinë. Grupi i ferrit në të cilin ishim nuk na linte të shpresonim shumë… Ishim thjesht të kënaqur.

Ndeshja në Serbi

Ajo që prisnin të gjithë ishte ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë. Një sfidë që përjetohej më shumë se të tjerat, vlente më shumë se 3 pikë. Duhej patjetër fitore, ndërsa debatet për pjesëmarrjen e tifozëve kishte filluar prej kohësh. Fillimisht u pranua se do të kishte tifozë, më pas jo. Megjithatë ne pranuam të bënim gjithçka vetëm për ta mundur në fushën e lojës Serbinë. Dhe ia dolëm më së miri. Në koret e shumta raciste, thirrjet për vdekje shqiptarëve, 11 futbollistë si heronj vendosën të dilnin në fushën e lojës për të nderuar fanellën kuqezi dhe flamurin. Himni nuk dëgjohet, por kjo nuk i ndal dy heronjtë për ta kënduar me forcë dhe me gjithë shpirt. Ndeshja ishte ajo e parashikuara. Serbia bën presion, ndërsa shqiptarët mbrohen mirë për të goditur me kundërsulm Serbinë. Momente të mira për ekipin kombëtar. Dy sulme të shpejta… Mavraj dhe Cana rrezikuan seriozisht portën serbe dhe për pak sa nuk shënuan golat e tyre të jetës. Serbët e ndiejnë rrezikun dhe ndërpresin ndeshjen… E gjithë pjesa tjetër është ngjarja më e shëmtuar e futbollit e krijuar, ideuar dhe e vënë në skenë nga Serbia.

Vendimet e turpit

Ajo që ndodhi në Serbi ishte dukshëm një nga ngjarjet më të shëmtuara në futboll, por vula e turpit u vendos më vonë në Komisionin e Apelit dhe të Disiplinës. UEFA nxjerr fajtore Shqipërinë në një farë mënyre dhe e dënon atë me humbjen e ndeshjes në tavolinë. Beteja nuk ka përfunduar, Shqipëria dhe shqiptarët kanë ende shpresa se do ta fitojë këtë betejë në KAS.

Super-ndeshja

Padrejtësia që u bë në UEFA gjeti menjëherë kundërpërgjigjen dhe forcën e ekipit kombëtar. Franca dhe Italia ishin dy prova që do të tregonin se Shqipëria nuk është fajtore për asgjë, se Shqipëria di të bëjë futboll të bukur dhe të ketë tifozë paqësorë. Një ndeshje deri diku në limitet e perfektes ajo që u luajt në Francë. Një formacion shpresëdhënës dhe një ekip me dëshirë për të bërë më të mirën. Dy raste të shpejta, pastaj vjen goli i Mavrajt. Gol i shijuar në maksimum nga shqiptarët sepse shënohej në portën e Platinisë, në vendin e Platinisë. Pastaj një tjetër gol i pësuar në minutat e fundit, që si gjithmonë është një makth për kuqezinjtë.

Italia vishet kuqezi

Ndeshja në Xhenova kundër Italisë dëshmoi edhe një herë tjetër se shqiptarët janë tifozë të çmendur të kombëtares. Afro 30 mijë tifozë ishin në shkallët e stadiumit “Marassi” të Xhenovas për të mbështetur ekipin kombëtar, por edhe për të dhënë një sinjal të qartë për të gjithë. Kudo paqe, vëllazëri mbi futbollin dhe momente magjike u ofruan në Itali. Rezultati i kësaj ndeshjeje nuk kishte aspak rëndësi, por paraqitja që bënë kuqezinjtë ishte vërtet pozitive. Goli i fundit i shënuar nga Okaka vodhi një nga festat më të bukura për ekipin e kombëtares shqiptare. Ky vit ka qenë plot surpriza, por më e bukura pritet të vijë vitin e ardhshëm. Ndeshjet e bukura, fitoret, vuajtjet dhe djersa e derdhur për fanellën kuqezi është bërë e gjitha për të arritur objektivin… Francë.

Ndeshjet e vitit 2014

Shqipëri-Maltë 2-0

Shqipëri-Rumani 0-1

Hungari-Shqipëri 1-0

San Marino-Shqipëri 0-3

Portugali-Shqipëri 0-1

Shqipëri-Danimarkë 1-1

Serbi-Shqipëri 3-0

Francë-Shqipëri 1-1

Itali-Shqipëri 1-0