Kosovë, 1 shtator 2014 – Rreth 300 luftëra të zhvilluara. Gati po aq fitore. Dhjetëra gara e turne të fituar, shumë ngjitje në podium, shumë emocione. Nuk munguan as lotët e zhgënjimet. Edhe pse vetëm 23-vjeçare, xhudistja Majlinda Kelmendi ka një karrierë të gjatë e shumë të pasur prapa vetes. Tashmë llogaritet xhudistja më e mirë në botë, me dy tituj të botës të fituar rresht dhe një titull të Europës. Karriera e Kelmendit përbëhet nga shumë momente, të cilët i paraqet e përditshmja kosovare “Koha ditore” në rrëfimin e mëposhtëm.
Titulli i botës për të rinj
Majlinda nisi si fëmijë të merret me xhudo. Palestra e klubit “Ippon” në Pejë nuk ishte larg prej shtëpisë së saj dhe si shumë fëmijë të tjerë të lagjes filloi të paraqitet në stërvitje te trajneri Driton Kuka. Ajo thotë se nuk kishte talent për xhudo, për të mësuar një lëvizje i duhej kohë dukshëm më e gjatë se fëmijëve të tjerë. Por kishte durimin dhe dëshirën për sukses. Disa vite më vonë u paraqit në gara ndërkombëtare jo të nivelit shumë të lartë e me kalimin e kohës nisi të merrte edhe medalje. Fitoi disa turne në vende të ndryshme, por që bëhet fjalë për një xhudiste me të ardhme, e dëshmoi në vitin 2009. Në shtator të vitit 2009 doli kampione e Europës për grupmoshën e të rinjve (U-20) e menjëherë në muajin tjetër edhe kampione e botës për këtë kategori, në nivelin deri 52 kilogramë. E para në Europë doli duke përfaqësuar Shqipërinë, ndërsa e para në botë duke pasur në shpinë, pos mbiemrit të saj, edhe inicialet e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). “Kam nisur shumë më herët me gara ndërkombëtare, por gara që më nxori nga hija mund t’ju them se ishte Botërori i të rinjve. Prej triumfit në atë botëror, në vitin 2009, filluan të më shikonin me një sy tjetër. Më llogarisnin si pretendente dhe më njihnin”, ka thënë Kelmendi.
Dështimi në Lojëra Olimpike
Pas triumfit në Botërorin e të rinjve, Kelmendi pati një përgjegjësi më të madhe. Duhet ta përfaqësonte si duhet Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë arriti pa shumë probleme të siguronte pjesëmarrjen për Lojërat Olimpike të 2010-ës, u lobua gjithashtu nga Federata e Kosovës në Xhudo. Kërkesë e tillë u refuzua dhe Kelmendi vendosi të përfaqësojë Shqipërinë. Garën e nisi mjaft mirë, duke fituar ndaj finlandezes Jana Sundberg. Më pas erdhi thyerja e madhe. Në luftën e dytë që e kishte me Kristian Legentil të Mauritius, llogaritej favorite absolute. Ishte duke udhëhequr bindshëm, por një moment pakujdesie i kushtoi shtrenjtë. Legentil siguroi fitoren me “Ippon”, duke i dhënë fund ëndrrës së Kelmendit dhe të gjithë shqiptarëve për medalje të fituar prej saj. Eliminimin e hershëm Kelmendi e përjetoi rëndë. U mbyll për disa javë, por premtoi se do të kthehej më e fortë. “Lojërat Olimpike ishin pikë kthese në karrierën time. Kam mësuar shumë nga ajo garë. Më ka pjekur si sportiste. Kam mësuar se garat duhet të merren ashtu si vijnë dhe se, pasi përfundojnë ato, të vazhdoj tutje. Nuk duhet të shikohet prapa”, thotë Kelmendi. Ajo pranon se presioni dhe pritjet ishin të mëdha dhe se ishte e ngarkuar për sukses në Olimpiadë shumë më tepër se që duhej.
Thyerja e barrierës
Ditët e para pas Lojërave Olimpike ishin shumë të vështira për Kelmendin. Ajo mori disa javë pushim dhe i kishte ndodhur që të fyhej edhe në plazh, gjatë pushimit dhe të qante shpesh. Por, ishte e vendosur që të kthehej fuqishëm. Sukseset vinin një pas një, ndërsa barriera më e madhe në karrierën e saj u thye në prill të vitit 2013. Ajo fitoi medaljen e bronztë në kampionatin europian të mbajtur në Budapest. Në shpinë mbante inicialet IJF, pasi Unioni Europian i Xhudos (EJU), i udhëhequr nga një rus, ende nuk e njeh Kosovën me të drejta të plota. “Me atë garë kam thyer një barrierë të madhe. Unë fitoja gara edhe më të forta se Europiani, por asnjëherë të fitoja medalje në Botëror dhe Europian për të rritur. Prandaj medaljen e fituar në Budapest e vlerësoj si shumë të rëndësishme për karrierën time”, ka thënë Kelmendi.
Titulli i parë i botës
Suksesi i madh i saj erdhi në gusht në Rio de Zhaneiro të Brazilit. Ndonëse shkoi në heshtje, pa bujë të madhe, arriti sukses historik, duke u shpallur kampione e botës. Kosova më në fund kishte një kampione të botës. Në Rio, Kelmendi garoi me flamur të Kosovës, ndërsa siguroi që himni i Kosovës të intonohet në një skenë të madhe të sportit ndërkombëtar.
Titulli i dytë i botës
Pa zhurmë, Kelmendi udhëtoi edhe në Çelyabinsk të Rusisë, ku këtë javë u mbajt kampionati botëror. Shkroi edhe një herë emrin e saj në historinë e sportit të Kosovës dhe të xhudos botërore. Me fitore bindëse njëra pas tjetrës, ia doli që sërish të shpallet kampione e botës në kategorinë deri 52 kilogramë. Kelmendi në Rusi mbante në shpinë inicialet IJF, pasi ky ishte kushtëzimi që Rusia ia bëri Federatës Ndërkombëtare. Por të gjithë e dinin tashmë se ajo është kampionia nga Kosova. “Majlinda ka ende për t’i dhënë xhudos. Ajo ende nuk ka arritur kulmin. Priten suksese të reja prej saj, më të mëdha”, ka thënë Driton Kuka, trajneri i vetëm që “prodhon” kampionë në Kosovë. E për suksese më të mëdha të Kelmendit duhet të pritet viti 2016, kur mbahet Olimpiada e ardhshme.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





