13 tetor 2015 – Policia e Tiranës mbrëmjen e së hënës arrestoi në flagrancë 3 persona, të cilët ishin duke shpërndarë 1 kg heroinë te parkingu i qendrës tregtare “QTU”, ndërsa mendohet se 3 të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Arrestimi i këtyre personave është bërë pikërisht në momenin që ishin duke bërë shkëmbimin e parave dhe drogës. Policia ka zbardhur dhe emrat e 3 të arrestuarve. Ata janë:
1-Elis Mali(Sefa), 35 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë,
2-Elsi Rroshi, 32 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë,
3-Aldo Leka, 23 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë.
Policia thotë se pas një pune te mirëorganizuar u bë kapja në ambientet e brendshme të parkingut të një qendre tregtare, ku gjatë kontrollit të automjetit të tyre Volkswagen Golf me targa AA 545 ME, në të cilën ndodheshin të tre këta shtetas, u gjend sasia prej 1.124 kg heroinë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 telefona celularë dhe automjeti gjithashtu. Policia po punon për identifikimin dhe dokumentimin e personave të tjerë të cilët kanë bashkëpunuar në aktivitetin kriminal me shtetasit e mësipërm.
/portali DurresLajm/