Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. S. Dervishi, 25 vjeçe, banuese në Durrës, rreth orës 23:40, në autostradën Durrës–Tiranë, tek një karburant, duke drejtuar automjetin tip Benz ka humbur kontrollin e mjetit duke u futur brenda në karburant dhe më pas është përplasur me reklamat e tij, njoftoi më herët gjatë ditës DurrësLajm, duke iu referuar njoftimit të policisë.
Ndërkohë “Harta Dixhitale e Aksidenteve Rrugore” ka publikuar në Facebook videon nga incidenti i frikshëm. Siç duket nga pamjet filmike, vajza ka hyrë me shpejtësi mjaft të madhe në karburant dhe makina e saj është përfshirë nga flakët nga përplasja e fortë.
Për pasojë është dëmtuar vetë e reja, e cila ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Gjatë testit të alkoolit rezultoi se S.Dervishi ishte në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ”Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.





