Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur autostradën që lidh Milanon me Napolin, pasi një kamion që transportonte gaz të lëngshëm u përplas me një automjet tjetër, duke shkaktuar panik mes drejtuesve të mjeteve.

Aksidenti u shoqërua me një zjarr të madh dhe një re të dendur tymi, e cila ishte e dukshme nga distanca të mëdha. Shoferë të shumtë që ndodheshin në zonë filmuan skenat dramatike me telefonat e tyre celularë.

Pavarësisht fuqisë së shpërthimit dhe përmasave të zjarrit, autoritetet raportuan se nuk ka viktima. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesit e mjeteve reaguan me shpejtësi, duke braktisur automjetet vetëm pak çaste para se flakët të përhapen në mënyrë të pakontrolluar.

Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të vlerësuar dëmet materiale.