Një efektiv i forcave Shqiponja plagosi me armë në këmbë Orges Bilbilin, të kërkuar për vrasje në Lushnje, i cili ditën e sotme në vend të dokumentit identifikues i nxori armën duke e kërcënuar se e qëlloi.

Ngjarja ndodhi në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku për pasojë mbeti e plagosur edhe një kalimtare rastësisht në zonë, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

Këto janë momentet kur Orges Bilbili është plagosur nga efektivi i Shqiponjave pasi e plagosi në këmbë. Në tokë është edhe arma që Bilbili kishte me vete, me të cilën kërcënoi policin.

“Në momentin që i ka kërkuar çfarë keni në çantë, qytetari është larguar me vrap, punonjësi i policisë e ka ndjekur, dhe sapo kalon kthesën e parë qytetari i ka drejtuar armën punonjësit të policisë, ai e ka paralajmëruar ulni armën se do iu qëlloj dhe ka qëlluar një herë në ajër.

Qytetari ka lëvizur me vrap, dhe në kohën që punonjësi i policisë e paralajmëron përsëri të ulë armën të dorëzohet, ai ka drejtuar armën dhe i ka thënë policit po të qëlloj nëse nuk largoheshin. Punonjësi ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur, aktualisht ndodhet në spital, është plagosur në këmbë.

Në afërsi të kësaj skene ka qenë një qytetare që edhe ajo ka marrë një plumb në këmbë nga punonjësi i policisë. Efektivi nuk është qëlluar, është në drejtorinë e Policisë Tiranë për veprimet procedurale”, sqaroi rrethanat e ngjarjes drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.