Një video e cila u publikua të premten mbrëma tregon momentin kur një dron rus godet një anije tregtare me pronësi turke në Detin e Zi, një nga portet kryesore të rajonit të Odesës.

Në pamjet e xhiruara nga një marinar turk në një anije fqinje, shihet qartë një dron iranian i tipit Shahed duke u drejtuar drejt objektivit të tij, me zhurmën karakteristike të motorit që dëgjohet pak para goditjes.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi rus me dronë dhe raketa shkaktoi dëme në gjithsej tre anije me pronësi turke në portet e Odesës. Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba, deklaroi se:

“Sulmi synonte zinxhirin jo-ushtarak të furnizimit dhe transportin tregtar detar”, duke shtuar se “Rusia godet sistematikisht infrastrukturën portuale që siguron transportin e ushqimeve dhe mallrave në tregjet globale”.

Kompania menaxhuese Cenk Denizcilik njoftoi se anija e ngarkesës M/V CENK T, që transportonte ushqime, u sulmua nga ajri pak para se të hynte në port, rreth orës 16:00 me orën lokale, duke shkaktuar zjarr në pjesën e përparme të saj.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ky sulm tregon se Moska nuk i merr seriozisht përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se:

“Rusia vazhdon të godasë jetën normale dhe aktivitetin tregtar”.