Ky është momenti kur kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha shtrëngojnë duart pas arritjes së marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.

Pas një takimi të gjatë ‘kokë më kokë’ me njëri-tjetrin prej më shumë se 3 orësh, që prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, dy liderët kryesorë të qeverisë dhe opozitës, kanë dalë nga Kryesia e Kuvendit rreth orës 01:16. 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur për gazetarët se ka një marrëveshje me Ramën e cila do të detajohet dhe do të bëhet publike në 24 orët e ardhshme

“Kemi një marrëveshje të bazuar në paketën “McAllister” që është propozuar edhe nga SHBA. Ajo do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm pas detajimit do të kemi një komunikim publik”, tha Basha pas takimit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ishte edhe më i prerë në komunikimin e tij, duke thënë: “Jam dakord 100% me kreun e opozitës”. 

Asnjë nga të dy nuk dha detaje mbi datën e zgjedhjeve, ndërsa midis tyre pati edhe një shtrëngim duarsh në publik, veprim që u shoqërua me brohoritje e duartrokitje.