Skenat e pahijshme janë rikthyer në futbollin shqiptar, teksa në Kukës Arena, ndeshja mes Kukësit dhe Erzenit u ndërpre pasi tifozët vendas pushtuan fushën e lojës.
Në minutën e 64-t, shijakasit arritën që të shënonin golin e përmbysjes me anë të Zekës, duke i dërguar shifrat në 1-2 në favorin e Erzenit.
Ky moment irritoi disa tifozë të Kukësit që u futën në fushën e lojës. Njëri prej shefave të policisë u qëllua me shishe në kokë nga tifozët.
Gjyqtari Yzeiraj tërhoqi skuadrat në dhomat e zhveshjes. Një episode i paprecedentë, për mënyrën se si shkuan gjërat.
Pas mbledhjes së organizuar, delegati i ndeshjes vendosi që stadium Kukës Arena të zbrazej në pjesët pas portave, në mënyrë që loja të rifillonte. Pas rreth gjysmë ore, loja rinisi sërish në të 65-tën minutë.
Një episod që njollos futbollin shqiptar, pasi Kukësi pritet që të bëhet subjekt i Komisionit të Disiplinës, me tifozët e Kukësit që me shumë gjasa do mund të rikthehen në shkallët e stadiumit vetëm në fundin e sezonit, gjithnjë nëse Disiplina nuk vepron me dorë të hekurt.
Pas rinisjes së lojës, Kukësi u përpoq që të merrte diçka por nuk ia doli që të shënonte, dhe Erzeni fitoi 2-1 falë golave të Kahrimoviç dhe Zekës, ndërkohë që verilindorët regjistrojnë humbjen e shtatë radhazi duke mbetur në vendin e fundit me vetëm 19 pikë.