Mbetet ende mister mjeti lundures që vrau pushuesin rus, Denis Kaimov në det, diku mes Himarës dhe Livadhit. Abcnews publikoi sot pamjet e skafit të të akuzuarit të vetëm për ngjarjen, Fatmir Kuçit duke sjellë në breg trupin e Kaimov. Në video duket skafi i tij që vjen nga një distancë e largët nga bregu.
“Një milje larg”, pretendon avokati i Fatmir Kuçit. Një distancë që duket se lehtëson pozitat e të akuzuarit. Sipas ligjit, pushuesit nuk duhet të lahen më shumë se 200 metra nga bregu i HImarës. Vendi ku u gjet trupi i pushuesit rus Denis Kaimov, është i papërcaktuar. Policia nuk bëri rrethimin e vendit të ngjarjes, duke lënë të paqartë një detaj kyç për ngjarjen. Sipas prokurorisë në pjesën e brendshme të skafit janë gjetur shenjat e gjakut të viktimës.
Por Fatmir Kuçi pretendon se njollat e gjakut në skaf janë, pasi ai mori trupin e pushuesit për ta nxjerrë në breg. Gjatë transportit ai pati gjakderdhje duke lënë njollat e gjakut në skaf, pretendon Fatmir Kuçi. Në video duket edhe një gomone tjetër që ndjek skafin me trupin e Kaimov.
Pretendimi i Kuçit është se në vendin e ngjarjes kalonin edhe mjete të tjera lundruese dhe ka qenë një prej tyre që ka vrarë aksidentalisht Denis Kaimov.





