Këshilltari i lartë i fushatës së Donald Trump thotë se ish-presidenti shmangu fatin fatal dhe evitoi plumbin e qëlluar drejt tij në një moment kyç që ndau jetën nga vdekja.

Dan Scavino Jr. tha se një lëvizje e lehtë e kokës së Trumpit drejt aparatit vizual në ekran ishte arsyeja që plumbi ia gërvishti veshin në vend që ta godiste drejt e në kokë.

“Falë Zotit, tubimi i natës së kaluar ishte ai në të cilin Presidenti Trump donte të përdorte dhe t’i referohej teleprompterit, duke e bërë atë të lëvizte lehtë kokën në momentin kur u shkrepën të shtënat,” shkroi ai në X.

Më herët gjatë mitingut, Trump pranoi se ai po ‘lexonte në teleprompter’ dhe donte të diskutonte politikën e kufirit jugor së pari. Ai i kërkoi ekipit të tij të shfaqte grafikët në ekran që tregonin statistikat e emigracionit.

Pikërisht në këtë moment ai ktheu kokën anash pak para se të dëgjoheshin të shtënat.