Lidhur me vrasjen e Edmond Koçit, policia e Durrësit ka shoqëruar rreth 20 persona, mes tyre edhe shoferin e viktimës, të cilët po merren në pyetje për të zbardhur krimin që tronditi qytetin bregdetar mëngjesin e kësaj të shtune.

Ekzekutimi mafioz ndodhi në lagjen nr.16, pranë shtëpisë së prindërve të 40-vjeçarit i njohur si Mond Çekiçit, i cili la pas dy fëmijë të mitur.

Nga kontrolli në makinë, brenda së cilës u vra Koçi, nuk u gjet asgjë e paligjshme, ndërsa viktima nuk ishte i armatosur në momentin kur u qëllua për vdekje.

Në lidhje me këtë ngjarje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veli ka mbërritur sot në Durrës në një takim me drejtuesit e qarkut dhe grupin hetimor. 

Si ndodhi ngjarja?

Vrasja ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:40 pranë DAR Durrës. 40-vjeçari udhëtonte me mjet me shofer dhe një automjet tjetër i ka prerë rrugën. Mësohet se shoferi i viktimës ka dalë nga makina për të pyetur se çfarë kishte, ndërkohë që një nga personat ne mjetin tjetër ka qëlluar për vdekje Edmondin.

Pas kësaj, ata janë larguar me një mjet tip “Benz” me targa të vjedhura në Tirane, i cili është braktisur dhe djegur nga autoret në Katund Sukth, Durrës.