TIRANË, 12 shtator 2013 – Banka e Shqipërisë (BSH) njoftoi se 12 shtator 2013 hodhi në qarkullim kartëmonedha me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2012. Sipas BSH-së, kartëmonedha e re, me vlerë nominale 2000 lekë, emetim i vitit 2012, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 2000 lekë, emetim i vitit 2007. Ndryshimet në emetimin e fundit qëndrojnë në trashësinë e fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm në 3 mm, në vitin e emetimit në trupin e kartëmonedhës, që do të jetë “2012”, dhe në firmën e drejtorit të Departamentit të Emisionit. Po ashtu, kartëmonedha e re, me vlerë nominale 200 lekë, emetim i vitit 2012, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 200 lekë, emetim i vitit 1996, hedhur në qarkullim më 14.7.1997, dhe rishtypjeve të saj në vitin 2001, hedhur në qarkullim më 8.4.2002 dhe në vitin 2007, hedhur në qarkullim më 20.7.2009. Ndryshimet në emetimin e fundit qëndrojnë në trashësinë e fillit të sigurisë, i cili bëhet nga 1.5 mm në 2 mm, në vitin e emetimit në trupin e kartëmonedhës, që do të jetë “2012”, dhe në firmën e drejtorit të Departamentit të Emisionit. Duke filluar nga data 12 shtator 2013, kartëmonedhat me vlerë nominale 2000 lekë dhe 200 lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2012, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të këtyre prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/