Nënkryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shfaqur sot në krah të kandidatit për deputet Flamur Gjuzi në fshatin Xhafzotaj të komunës Rrashbull. Në mbështetje të Gjuzit nuk ishte vetëm numri 2 i LSI-së, por edhe deputeti i Partisë Socialiste Shkëlqim Troplini, i cili, ashtu siç kemi raportuar edhe më parë, është pozicionuar në mbështetje të kandidatit të tretë në listën e LSI-së Durrës, Flamur Gjuzit.

Kryemadhi tha se puna e bërë nga Gjuzi në krye të ALUIZNI-t ka bërë diferencën nga të gjithë drejtuesit e mëparshëm, në sajë të punës së të cilit janë pëfituar leje legalizimi në të gjithë qarkun e Durrësit, duke bërë pronar rreth 30 mijë familje durrsake. Monika Kryemadhi theksoi se njerëz që bëjnë punë të tilla pikërisht si Gjuzi, janë ata që duhet të votohen më 25 qershor.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste Shkëlqim Troplini, me reputacion të madh në zonën e Rrashbullit, tha: “Jam këtu për të mbështetur mikun tim Flamur Gjuzin dhe LSI-në, pasi te kjo forcë politike shikoj ndryshimin e Shqipërisë”.

Njësia administrative e Rrashbullit ka qenë një nga zonat me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje në Durrës, të legalizuara tashmë nga institucioni i drejtuar deri pak ditë më parë nga Flamur Gjuzi.