TIRANE- Aktorja sharmante Monika Lubonja vjen në një rrëfim të veçantë për shoqërinë dhe karrierën! E lirshme, e qeshur, e ëmbla Monikë flet pa droje për dashurinë dhe pasionin, duke theksuar se ka nevojë për këtë të dytin. Mes sukseseve në jetën e saj profesionale, gjen kohë për t’u rikthyer në fëmijërinë e hershme, kur teksa hidhte hapat e parë, jeta e lidhi shumë me kushërirën e saj (vajzën e tezes), shoqen e përjetshme, Ina Ramën.
Lubonja na prezanton sot me ish-prokuroren, që ajo njohu që në fëmijëri e deri më tani: me vajzën e ftohtë e të fortë, që di të mbajë ekuilibrat. Ana e panjohur e ish- numrit një të akuzës, shpaloset nga një prej njerëzve më të afërt të saj. Ndërsa Monika rrëfen se “Ina asnjëherë nuk i ka ndarë me ne shqetësimet e punës”, shprehet se ato, ajo vazhdon t’i ruajë si sekrete të profesionit. Intervista e mëposhtme vjen e çlirët, dhe përmes saj hyjmë më lehtë në botën e artit, miqësisë e drejtësisë, ashtu si e ka parë, Monika Lubonja. Le të udhëtojmë bashkë në këtë rrëfim të ndjerë të Monikës, ku mes të tjerash na ka treguar edhe për marrëdhënien e veçantë që ka me të bijën dhe punët e shtëpisë…
Monika, si po e kalon këtë kohë? Me se po merresh?
Këto kohë ndihem e plotësuar. Bëra shfaqjen për fëmijë “Princesha Teutë”, që për mua rezultoi vërtet një sukses i madh, sepse salla u tejmbush; nga 200 u bënë 400 spektatorë. Shfaqja u vu në ndihmë të fëmijëve me leucemi, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit, z.Bardh Spahia. Dua të falenderoj, përpara se të vazhdoj me komentet për shfaqjen, znj. Odeta Nishani dhe znj. Liri Berisha për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet. Duke u kthyer tani tek shfaqja, pashë në sallë fëmijët e vegjël që reagonin në mënyrë fantastike. Them se po përgatitet një brez që e do teatrin dhe artin. Do t’u thoja prindërve që t’i largojnë fëmijët sa më shumë nga filmat e kompjuterat për t’i sjellë në një teatër, i cili, sado gabime të ketë, do ta gjykojnë vetë fëmijët. S’ka gjë më të bukur se të dëgjosh një fëmijë teksa gjykon pjesën që ka parë. Tani jam në proceset e fillimit të një diçkaje tjetër po në teatër. Bëhet fjalë për një vepër shqiptare të viteve ‘80-‘84. Kam dëshirë shumë ta realizoj, duke tentuar që ta mbaj në frymën e atyre viteve. Jo për të tallur personazhet, sepse vepra e ka groteskun vetë, por dua të sjell nostalgjinë e atyre viteve. Edhe unë vetë asokohe isha e përfshirë dhe shkoja në teatër me kënaqësi. Ka qenë një nga veprat më të suksesshme që është vënë. Dëshiroj t’i tregoj edhe brezit të ri mënyrën se si servirej atëherë teatri. Kam dëshirë ta mbaj uzinën, fabrikën, veshjet, gjithçka… Por kuptohet që aktori duhet të jetë i besuar. Pa dashur absolutisht të vë dikë në tallje e ta kaloj në estradë. Dua teatër të mirëfilltë.
Sa të vështirë e mendon qasjen e atij realiteti me këtë të ditëve të sotme?
Nuk dua ta zbuloj veprën, do e lë surprizë. Autori ka qenë shumë fin në krijimin e kësaj vepre, nëpërmjet së cilës ka goditur dy çështje. E para shkuesinë, dhe e dyta thashethemet. Nëse atëherë ishin prindërit që të thoshin se kush ishte personi i përshtatshëm për të krijuar një marrëdhënie në çift, sot janë shokët. Pra tema e shkuesisë vazhdon të jetë aktuale. Tema tjetër është po aq aktuale. Thashethemet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në qendër të çdo shoqërie. Fakti që shfaqja do të mbahet në kohë, mendoj se do të sjellë një risi. Prej 20 vjetësh tashmë jemi ngopur edhe me teatrin modern, kështu që pse të mos sjellim nostalgji tek publiku. “Ndër ara, fabrika, kantiere” është vërtet këngë e vjetër, por melodia e saj është e veçantë dhe e fortë.
Ka humbur emocioni sot krahasuar me atëherë?
Më vjen keq, por e pranoj që ka humbur. Nuk ka më emocion. Megjithatë duhet thënë se teatrot janë plot. Shoh teatrin tim, të Suela Konjarit, që janë plot. Pra publiku po i rikthehet teatrit, sepse teatri është emocion e pasion. Ndryshe nga televizioni, teatri të përfshin dhe shndërron në pjesë përbërëse të vetes. Njerëzit kanë nevojë për këto emocione, pa të cilat më mirë të presësh këtë 21-shin e famshëm (qesh).
A beson Monika në ato që thuhen për 21 dhjetorin?
(qesh) Jo, nuk besoj. Por më duhet të them që jemi në një pikë që njerëzit janë tejngopur nga reklamat, nga muzika. Janë bërë shabllon ndaj televizionit, ndaj kompjuterave, ndaj celularëve, ndaj pajisjeve elektronike dhe mendja e tyre nuk vritet më. Sot fëmijët nuk munden të luajnë, nuk e shijojnë fare fëmijërinë.
Prindërit i shtrydhin të vegjëlit, i çojnë nëpër kurse, krijohet një konkurrencë, po mes kujt?!
Më shumë se sa mes fëmijëve, kjo konkurrencë është mes prindërve. Harrojnë që ata të cilëve u ulet personaliteti, ata të cilët dhunohen, janë fëmijët. Prandaj them unë, që një luftë do bëjë mirë (qesh). Ka ardhur mbingopja, po jo fundi i botës.
Cilat janë dëshirat e tua për 2013-ën?
Në radhë të parë dua të realizoj këtë pjesën dhe pastaj të kaloj një pasion të bukur, jo dashuri, por pasion.
Pse jo një dashuri?
Më mirë një pasion, se në një dashuri përfshihem shumë keq dhe ngelem gjithmonë e përfshirë, gjithmonë e sakrificës. Më mirë të provoj një pasion, që të ul ato tonet e dashurisë, ato tonet e vetëmohimit për këtë dashuri. Normal do doja të riktheheshim tek gratë e lira, sepse ka qenë një nga gjërat më të bukura; n.q.se do rikthehemi tek gratë e lira them se do të jetë një Monikë komplet ndryshe. Mbetemi pak këtu.
Pse u ndërpre “Gratë e lira” në kulmin e suksesit të tij?
As ne nuk kemi një përgjigje për këtë. Na thanë vetëm që emisioni nuk do të bëhet më dhe deri në momentin e fundit ne nuk e kemi besuar këtë. Unë më parë nuk e dija, por vetëm kur u ndërpre, kuptova se sa i ndjekur kish qenë ai program. Më ndalojnë në rrugë dhe më pyesin. Nuk mund ta imagjinoni. Mjafton të hapësh inbox-in tim në Facebook për të kuptuar suksesin e këtij emisioni. Ndoshta pati këtë reagim, ngaqë për herë të parë u mblodhën nën një ekran katër gra intelektuale, katër gra krejt të kundërta në karakteret e tyre. Ndoshta ngaqë ne morëm përsipër të bënim në ekran bisedat e tavolinave, duke dashur që njerëzit të gjenin veten aty, të mos i lodhnim. Janë për t’u lavdëruar këtu Flutura Gjeli, autorja e këtij cikli emisionesh dhe Bieta Sulo, skenaristja, të cilat e bënë trajtimin e temave të aktualitetit, të prekshëm për të gjitha gratë. Nuk donim t’i ngarkonim ata që na ndiqnin. Unë kam një falenderim shumë të madh për Gimin, për Albanin, sepse ata na hapën dyert kur ky projekt ishte ende në letër, por nuk e kam kuptuar asnjëherë arsyen se pse u ndërpre emisioni. Gjithsesi, fjala ime e fundit është një falenderim shumë i madh për mbështetjen dhe përkushtimin që patën në këtë projekt, për aq sa zgjati. Megjithatë autorja e programit po bën përpjekje për ta rinisur këtë emision në një tjetër kanal.
Si është marrëdhënia që ke me tre koleget e “Gra të Lira”?
Shumë e mirë. Me Elvirën kam një miqësi të vjetër. Ajo më njeh shumë mirë mua dhe unë e njoh shumë mirë atë. Moza po, të shkakton vetë afeksion me natyrën që ka, ndërsa Mirela me tipin e hedhur që ka të përfshin menjëherë. Do ta cilësoja një marrëdhënie korrekte midis kolegesh, mikesh.
Ndërkohë, kujt ia beson sekretet Monika? Cilat janë mikeshat e tua?
Unë kam dy mikesha shumë të ngushta: Elvirën, që e njoh që në ’94, të cilës i besoj shumë dhe ajo do të mbetet një mikeshë shumë e mirë edhe jashtë profesionit; si dhe mikeshën time Eda, të cilës ia ënjt kokën sa herë. Madje sa herë shkoj, e gozhdoj aty me mua. S’e lë të bëjë asnjë punë tjetër. Ajo nuk ka lidhje me aktrimin, por ka gjithsesi një punë kreative, artistike në vetvete. Merret me kartolina, fletëpalosje, etj. Ajo është e vetmja që më dëgjon kur unë jam e ngarkuar. Një zot e di si nuk bëhet derr, por më thotë ‘po’ për çdo gjë. Kam natyrisht edhe mikesha të tjera brenda teatrit, si Olta Daku, që është një shoqëri e re. E dua, sepse është një vajzë e mençur dhe me shumë talent. Një njeri që është i plotësuar, që nga prindërit, që nga fëmijëria, që nga profesioni, siç është Olta. Meqenëse po flas për të, asnjëherë nuk mund ta kesh konkurrent në jetë, përkundrazi, e ke një mike të mirë. U njoha me të tek “Amore amore”, pjesa që bëmë së fundi me Karlo Brunon, një pjesë që unë e dashurova, sepse ishte i vetmi regjisor që më la në skenë të veproja ashtu siç doja unë. Një nga rolet që u kënaqa më shumë.
Po Ina Rama, kush është në jetën tuaj?
Ina është si motër për mua. Unë jam gocë e vetme. Mamaja ime me mamanë e Inës janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, kushërira. Por tek ne nuk ndodhi kjo e përhershmja, lidhje fisi, por ndodhi që ne u lidhëm si natyra. U lidhëm që të vogla. Unë shkoja në Durrës; në ato vite, plazhi ka qenë i mrekullueshëm dhe Ina vinte në kohën e dimrit tek unë. Madje një herë në ’85-ën ra borë, jemi kënaqur. Kanë qenë disa shije fëmijërie të bukura. Unë jam pak pasionante kështu, flas, bëj, Ina gjithmonë më e tërhequr, më dëgjuese ndaj të tjerëve. Shumë e fortë dhe e brishtë njëkohësisht në brendinë e saj. Do të thoja, një njeri me vlera të jashtëzakonshme. Ai që e ka afër, ia di.
Si e ke parë Inën si kryeprokurore?
Inën duhet ta dallosh në dy anë. Si prokurore unë fillimisht i kam uruar me gjithë shpirt suksese në këtë detyrë të vështirë, sepse ajo derisa ka mbaruar për Juridik, derisa ishte gjyqtare në detyrë, aderonte që ‘ne duhet të vëmë të drejtën përmes ligjit’. E di që Ina ka bërë maksimumin në punën e saj. Them që është shumë herët për të gjykuar punën e saj. Jam e bindur që pas disa vitesh do t’i njihen meritat.
Cila është Ina që njeh ti?
Ina është e ftohtë, është racionale. Në momentin që një njeri është i ftohtë dhe racional, ekuilibrat e vet di t’i mbajë mirë. Për sa i përket pastaj Monikës me Inën, ne mbetemi gjithmonë ato gocat e vogla, që i besonim njëra-tjetrës shumë gjëra. Vetë ky 5-vjeçar, donte s’donte do të na ndante, sepse ajo ishte më e angazhuar me punën, por ka qenë gjithmonë dhe do jetë gjithmonë, sepse ajo është njeriu më i afërt i imi, pjesë e gëzimeve të mia. Ina është një femër shumë kavaliere, bën shumë për shoqërinë dhe të afërmit e saj, dhe e ka thënë shumë herë këtë, që “pas përfundimit të mandatit do laj ‘borxhet’, do t’i kushtohem shoqërisë dhe familjes”.
A i ke ndjerë presionet e Inës si kryeprokurore?
Ina asnjëherë nuk i ka ndarë me ne shqetësimet e punës. Ato ajo vazhdon t’i ruajë si sekrete të profesionit. Mua dhe Edën na ka telefonuar gjithmonë sa herë gjente pak kohë të lirë. Inës i ra një periudhë jo fort e mirë për të qenë kryeprokurore, pati shumë ngjarje, por gjithsesi do të thoja që ajo është femra e vetme që është përballur me të vërtetën pa u tërhequr në asnjë moment. Sa i takon punës së saj, unë e them edhe një herë që është koha ajo që do të tregojë se çfarë ka bërë Ina.
Ke folur me të pas përfundimit të mandatit?
E kam lënë që shumë shpejt do shkoj me Tean për ta takuar.
Ka nevojë për një periudhë pushimi?
Kush nuk do të kishte!
Na trego pak për marrëdhënien që ke me Tean?
Unë me Tean jemi komplet të kundërta si natyra. Nëse kam besuar ndonjëherë në Zot, kam besuar kur më ka dhuruar këtë fëmijë të mrekullueshëm, që s’më ka shkaktuar asnjëherë probleme, si në shkollë, edhe në jetën e saj. Një fëmijë që herë pas here më kritikon. Ndonjëherë më bëhet ajo si nënë. Ndoshta ngaqë unë jam natyrë më e hedhur, më e gjallë, më e drejtpërdrejtë. Me Tean bëj muhabete që po të na dëgjojë njeri, thonë ‘këto nuk janë nënë e bijë’. Tea është shumë e prerë, është klasike në gjërat e veta. Herë pas here më heq nga Facebook-u, më bën block (qesh), sepse unë e ngacmoj. Ajo është kritizere në çdo dalje timen publike. Me Tean e kam shumë të vështirë të dal për shopping, sepse ajo e ka të vështirë të vendosë për mua. Megjithatë këtë pjesë e kam të zgjidhur, sepse një mikesha ime, Bruna, më kuron në detaje.
Çfarë do të bëhet Tea?
Unë mendoja se do bëhej balerinë, siç e nisi, por tani ka përfunduar tek Ekonomi-Informatikë.
Ndërkohë, Monika, si ia del që je kaq në formë?
Unë kështu jam rritur. Jam rritur me frymën që, duhet të kujdesem gjithmonë për veten. Shumë njerëzve u vjen çudi, por unë dua që kur dal nga shtëpia, të jem e kuruar në detaje. Më pëlqen ta mbaj veten, sepse kjo gjë së pari tregon që kam respekt për veten.
Marrëdhëniet me punët e shtëpisë si i ke?
Këtu e prishe muhabetin. Kam në shtëpi një mami, që më ka llastuar dhe që s’më lë të prek gjë me dorë. Di të gatuaj disa gjëra, po për gjellë s’ia them shumë. Larg qoftë, kur të mos e kem më, do më duhet të gatuaj me libër përpara.
Marrë nga (m.a/bluetooth/BalkanWeb)