Monitorimi i trurit mund të bëhet më i shpejtë dhe i prekshëm përrmes tatuazheve elektronike. Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë të re për të vëzhguar aktivitetin në tru përmes tatuazheve të përkohshme elektronike. Teknologjia e re mund të lehtësojë e shpejtojë ndjekjen e aktivitetit në tru dhe dallimin e sëmundjeve të tij.

Kur bëhet fjalë për diagnostikimin e epilepsisë, krizave apo kancerit në tru, pacientët duhet të kryejnë një elektroencefalogramë (EEG). Përgatitja për EEG merr 1-2 orë dhe mjekët duhet të shenjojnë kokën e pacientit me një vizore dhe laps për të ngjitur elektrodat në vendet e duhura. Por edhe pas kësaj procedure, ata duhet të kontrollojnë shpesh elektrodat për t’u siguruar që janë ende të ngjitura në skalpin e kokës.

Me metodën e re, një robot i programuar vijëzon skalpin e pacientit me një bojë të përbërë nga materiale përçuese që shkurton kohë dhe punë. Sigurisht, procesi ende merr rreth një orë pasi mjekët duhet të kontrollojnë vetë lëvizjet e kokës së pacientit, por në të ardhmen mund të arrijë deri në 20 minuta.

Shkencëtarët e kanë testuar teknologjinë në 5 pacientë duke e krahasuar me EEG e zakonshme. Rezultati provoi që tatuazhet elektronike ishin po aq të sakta sa elektrodat. Studimi gjithashtu zbuloi që tatuazhi qëndronte më gjatë duke mundësuar vëzhgimin për një ditë  ndërsa elektrodat shkëputeshin pas 6 orësh. Ndryshe nga këto të fundit, tatuazhet mund të fshiheshin lehtësisht me alkool ose sapun kurse ngjitësi i elektrodave është më i vështirë për t’u hequr.

Hapi i radhës është që shkencëtarët të zbulojnë nëse tatuazhet mund të funksionojnë për pacientët me çrregullime specifike neurologjike. Gjithashtu ka pyetje nëse mund të përdoren për njerëz që kanë gjatësi dhe tipe të ndryshme flokësh apo alergji lëkure.

Hulumtuesit po planifikojnë të krijojnë një printer që prodhon bojë e cila nuk zhduket lehtësisht. Kështu shkencëtarët mund të monitorojnë aktivitetin në tru përgjatë natës dhe të diagnostikojnë çrregullimet e gjumit. Kur boja thahet, kthehet në një tatuazh elektronik me trashësi sa gjysma e gjerësisë së një qimeje floku.