Pasditen e së mërkurës, artdashësit durrsak do të mund të ndjekin në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit monodramën “Nuk doja të vdisja e virgjër”.

Shfaqja e cila është përshtatur për skenën duke u bazuar në librin e shkruar nga shkrimtarja italiane me aftësi të kufizuara Barbara Garlaschelli trajton zbulimin e seksualitetit, marrëdhëniet intime dhe “gruan” brenda një gruaje me aftësi  të kufizuar.

Kjo monodramë synon të jetë një rrëfim i kthjellët, i thjeshtë, pa klithma, që hedh dritë më shumë mbi ngjashmëritë sesa mbi dallimet, më shumë mbi emëruesin e përbashkët që është “njeriu” dhe ndjesitë e tij, që nuk kanë kufizim.

Shfaqja nis në orën 18.00 dhe vjen për publikun durrsak nën interpretimin e aktores Ina Gjonçi, me regji të Gjergj Mena.

Monodrama “Nuk doja të vdisja e virgjër” synon të sjellë në vëmendje të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në një këndvështrim ndryshe nga ajo që ne kemi hasur çdo ditë. Kjo shfaqje teatrale është një përpjekje për të hapur diskutime dhe me shpresë, gjithashtu mendjet tona, në lidhje me temën tabu të seksualitetit dhe marrëdhënieve intime të personave me aftësi të kufizuar.