Skena të tilla janë të përditshme në rrugët e Durrësit. Monopatinat elektrike shpesh përbëjnë një rrezik të shtuar për sigurinë rrugore të drejtuesve të mjeteve.

Përdorimi i tyre është gjithnjë e më i shpeshtë në rrugët e qytetit, sidomos nga moshat e mitura dhe adoleshentët. Por megjithëse Kodi Rrugor kërkon përdorimin e kaskave mbrojtëse dhe jelekëve fosforeshentë, ato janë krejtësisht të “panjohur” për përdoruesit e skuterave elektrikë, siç duket qartë në pamjet filmike që po transmetojmë.

“Duhet të theksojmë se janë mjete elektrike për të cilat Kodi Rrugor parashikon që drejtuesit e tyre duhet të jenë të pajisur me leje drejtimi. Duhet një kujdes i shtuar sidomos gjatë orëve të natës. Drejtuesit e këtyre monopatinave duhet të jenë të pajisur me jelekë fosforeshentë, kur lëvizin në orët e natës, që të shtojnë dukshmërinë e tyre në rrugë. Përdorimi i jelekut ka shumë vend për përmirësim, pasi ende nuk është shumë i shpeshtë, por ne po mundohemi edhe me masa administrative edhe me këshillim, që t’i bëjmë të kuptojnë që është shumë i rëndësishëm përdorimi i jelekut fosforeshent”,– thotë për “DurrësLajm” Miludian Çaçollari, specialist i trafikut urban dhe interurban pranë Policisë Rrugore Durrës.

Krahas rrugës, monopatinat elektrike gjejnë përdorim të shtuar edhe në shëtitoret bregdetare, sidomos tani që lëshohen me qira kundrejt pagesës. Për shkak të moshës së mitur të shumë prej përdoruesve të tyre, performancat akrobatike në trotuaret e qytetit nuk mungojnë.

Sipas Kodit Rrugor, përdorimi i këtyre skuterave duhet të nisë në moshën 16-vjeçare, por duket se ky kriter nuk zbatohet.

“Nën këtë moshë nuk duhen përdorur monopatinat. Gjithashtu duhet t’i kujtojmë përdoruesve të këtyre mjeteve, që duhet të jetë vetëm një person në monopatinë. Dy persona mund të jenë vetëm kur është fëmija deri 6 vjeç, i shoqëruar nga prindi dhe në çdo rast duhet vendosur kaska mbrojtëse”,- thotë Çaçollari.

Në një qytet si Durrësi, ku rrugët e pajisura me korsi të dedikuar biçikletash numërohen me gishtat e njërës dorë, qarkullimi në rrugë me monopatina elektrike është një rrezik i vazhdueshëm për aksidente.

M.B.