Në shëtitoren bregdetare të Durrësit, ata i sheh shpesh pasditeve dhe mbrëmjeve, ndërsa qarkullojnë me shpejtësi mes familjeve që kanë dalë për të shëtitur.
Në shumë raste bëjnë manovra të rrezikshme mes kalimtarëve, apo mbajnë frenat “gozhdë”, kur ndonjë vogëlush u pret rrugën, siç mund ta shihni në videon e mëposhtme.

Përdoruesit e monopatinave elektrike e kanë kthyer shëtitoren “Taulantia” në pistën e tyre. Shpesh me to lëvizin të mitur 10 apo 11-vjeçarë, të cilët as nuk e parashikojnë rrezikun që mund të shkaktojnë kur mes turmës së njerëzve lëvizin me shpejtësi maksimale 20-25 km/h.
“DurrësLajm” u interesua pranë Policisë Rugore, ku mësuam se përgjatë muajve të verës kanë qenë disa raste, kur përdoruesit e monopatinave janë përfshirë në aksidente, të cilat klasifikohen plagosje të lehta, apo dëmtime të tjera.
Në pjesën më të madhe kanë qenë vetë përdoruesit e tyre që janë aksidentuar, por nuk mungojnë edhe rastet kur kanë shkaktuar incidente me persona të tjerë.

Sipas policisë, shqetësimi kryesor mbetet përdorimi i këtyre mjeteve motorike nga të miturit, gjë që konstatohet mjaft qartë edhe në pamjet filmike që po transmetojmë.
Qarkullimi i tyre në rrugë përbën një rrezik të shtuar për drejtuesit e mjeteve, siç e kemi trajtuar edhe në shkrime të mëparshme, por situata është shumë e ngjashme edhe në shëtitoren “Taulantia” dhe atë të plazhit.
Në kulmin e lëvizjes së kalimtarëve, monopatinat, me një apo dy persona mbi to, dredhojnë mes kalimtarëve të shumtë, që i mbipopullojnë gjatë verës këto shëtitore.
Policia Rrugore ndihet e pafuqishme për të frenuar këtë fenomen, përsa kohë Kodi Rrugor nuk respektohet, pavarësisht se sanksionon, që përdorimi i këtyre skuterave duhet të nisë në moshën 16-vjeçare.
Policia apelon për kujdes të shtuar nga ana e prindërve, të cilët duhet të monitorojnë nga afër të gjitha lëvizjet e fëmijëve të tyre, për të evituar përsëritjen e të tjera aksidenteve, madje me pasoja edhe më të rënda.


Por krahas monopatinave, nuk mungojnë as motorët elektrikë apo dhe biçikletat në shëtitore. Operatori i “DurrësLajm” ka fiksuar disa motoristë apo biçiklistë ndërsa “çajnë” me mjetet e tyre mes turmës së kalimtarëve që ecin të shpenguar.

Po ndërsa në rastin e monopatinave, shumica e përdoruesve janë të mitur, krejt e kundërta ndodh me mjetet e tjera.
Pavarësisht viteve që kanë mbi shpinë dhe përgjegjshmërisë që duhet t’i karakterizojë, këta përdorues zgjedhin të qarkullojnë në një hapësirë publike dedikuar këmbësorëve.
M.B.





