DURRES – Pas shpërnguljes për në Suedi të familjes të Ajshe Vatës, edhe fëmijët e Shaban Norjes janë larguar jashtë vendit. Porta kryesore e shtëpisë së 81 vjeçarit qëndron e mbyllur, ndërsa asnjë nga fqinjët nuk ka parë më njeri të hyjë në atë shtëpi, që prej momentit që 81-vjeçari rezultoi autori i vrasjes së 18-vjeçares, me të cilën kishte një lidhje intime disa vjeçare.
Fqinjët tregojnë se vajza Dhurata dhe djali Leonard nuk kanë ardhur për asnjë moment në shtëpinë e të atit, pasi u ndjenë të turpëruar dhe të gjykuar nga opinioni publik, ndonëse jo fajtor për atë çfarë ndodhi. Leonardi e Dhurata, dy fëmijët e vetëm të Norjes, janë larguar drejt Italisë e Australisë duke braktisur jo vetëm shtëpitë në të cilat jetonin, por edhe biznesin që vajza ka në qytetin e Kavajës, duke lënë pas punën e një jete të tërë.
Dhurata Hoxha (Norja), që prej tre muajsh është larguar nga qyteti i Kavajës, ku jetonte prej vitesh së bashku me familjen e saj. Lokalin, të cilin ajo e kishte nën administrim, në lagjen numër 2 të qytetit të Kavajës, e ka kyçur. Fëmijët e 81-vjeçarit e dënuan mjaft ashpër aktin e të atit të tyre dhe e braktisën atë, duke mos u interesuar më për fatin e tij. Fqinjët e Dhuratës, tregojnë se ajo prej të paktën tre muajsh është larguar drejt Australisë, për shkak të tronditjes që kishte pësuar si pasojë e krimit mostruoz të të atit.
Madje ata tregojnë se vajza nuk e ka vizituar për asnjë moment të atin në burg, megjithëse Shabani ia kishte kërkuar një gjë të tillë. Fqinjët tregojnë se Dhurata gëzonte respektin e të gjithëve, dhe askush nuk e gjykoi për veprimin monstruoz të të atit. Vajza e Shaban Norjes ishte zhvendosur vite më parë në qytetin e Kavajës, pas martesës, ku jetonte së bashku me të shoqin.
Komshinjtë e saj flasin fjalë të mira për Dhuratën dhe bashkëshortin e saj, të cilët ishin njerëz korrekt dhe shumë të sjellshëm. Sipas tyre pas ngjarjes Dhurata u trondit shumë.
Edhe në katër rrugët e Shijakut, zonë në të cilën jetonte Norja, opinionet e banorëve aty për fëmijët e 81 vjeçarit janë nga më pozitivet. Teksa sjellin në vëmendje ngjarjen makabër, fqinjët nuk mund të mos komentojnë dhe vendimin e dhënë nga gjykata e Durrësit me 25 vite heqje lirie për të. Në vend të Shaban Norja, ai thirret më së shumti “maskarai”, “monstra”, “ditëziu” dhe epitete të tjera, në varësi të bisedës…Një nga komshinjtë e Shabanit, Faik Hasa, shprehet se që pas arrestimit të Shabanit, shtëpia e tij ka mbetur e kyçur, pasi duket se askush nuk do ta ngacmojë atë ngjarje që do mbetet plagë e hapur edhe për shumë kohë.
Faik, ju e njihni familjen Norja. Si e pritet vendimin që u dha për autorin e vrasjes?
Ishte një ngjarje e rëndë, e cila kërkon që dhe përgjegjësi të dënohet. E dëgjuam për dënimin që i është dhënë Shabanit me 25 vite burg. Edhe pse shprehim indinjatën tonë për vendimin e dhënë, besojmë që ky do të jetë një burgim i përjetshëm për Shabanin, pasi nuk besojmë të dalë gjallë nga qelitë. Është një ngjarje e rëndë, na ka tronditur të gjithëve.
Si e pritën vendimin familjarët e Shabanit, jeni munduar të komunikoni me to?
Edhe pse kanë kaluar katër muaj, ndjehemi ende të shokuar nga çfarë ndodhi. Me fëmijët e Shabanit nuk kemi mundur të komunikojmë, pasi ata janë larguar nga Shqipëria, ndërsa të afërmit e tyre nuk preferojnë të flasin mbi vendimin apo mbi atë çfarë ka ndodhur. Kjo familje po mundohet të mbyllë një plagë të madhe, ndaj dhe fëmijët janë larguar jashtë vendit.
Thatë që dy fëmijët e Shabanit janë larguar jashtë shtetit, çfarë i ka detyruar, ndoshta opinioni publik?
Edhe kjo qëndron, fjalët e dala në zonën tonë kanë qenë të shumta. Në çdo vend komentohej fati i vajzës dhe lidhja që ajo kishte me Shabanin. Dy fëmijët e Shabanit u ndjenë të turpëruar dhe nuk mund të duronin gjykimet dhe opinionin publik, ndaj vendosën të jetojnë jashtë vendit, duke e braktisur shtëpinë që kanë në katër rrugët e Shijakut. Ajo familje është shkatërruar plotësisht, nuk mund të jetojë në këtë vend, edhe pse nuk janë fajtore për atë çfarë ndodhi.





