LIBRAZH, 18 mars 2013 – Pas ngjarjes së rëndë që ka tronditur opinionin publik, ku 45-vjeçari Ardian Prenjasi vrau një 11 vjeçar, familjarët e tij pretendojnë se nga një telefonatë anonime në celular ata janë kërcënuar. “Do t’ju zhdukim si familje ka qenë kërcënimi i bërë mbrëmjen e kaluar në celularin e vëllait të vogël të pedofilit 45 vjeçar”.
“Na vjen turp dhe ndjehemi me të vërtetë të kërcënuar, madje fill mbas telefonatës lajmëruam Policinë e cila ka lënë poshtë pallatit një polic, i cili na ruan” deklaruan familjarët e tij.
Në të njëjtën kohë familjarët e tij u shprehën njëzëri për dënimin e tij me vdekje.
Ndërkohë policia ka ngritur të tjera dyshime që lidhen me pedofilin Ardian Prenjasi. Mësohet se 45-vjeçari kujdesej shpesh për djalin e mitur të shoqes së bashkëjetueses së tij, me të cilin dyshohet se ka abuzuar seksualisht. Mësohet se policia po heton edhe mundësinë që Prenjasi të ketë pasur bashkëpunëtorë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Caushaj, deklaroi sot se është lokalizuar zona në Sharrë ku mund të jetë hedhur trupi i viktimës, ndërsa për të zbardhur detaje të krimeve të Prenjasit, Caushaj shton se po bashkëpunohet edhe me shtetin fqinjë, Greqinë.
“Është legalizuar zona në të cilën janë hedhur plehrat në Sharrë. Ka shkuar grupi hetimor dhe specialistët, kanë marrë mjetet dhe njerëzit e nevojshëm për këtë lloj zbulimi. Për të plotësuar dosjen e tij po marrim të dhëna edhe nga policia greke me të cilën po bashkëpunojmë për të parë tendencat për krime të tjera”, tha Caushaj më tej.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





