Durrësi, qyteti nr.2 i Shqipërisë, po përballet me një problem të vazhdueshëm, përsa i përket mirëmbajtjes së pamjaftueshme ndaj monumenteve të tij.

Një shembull i dukshëm është Monumenti i Rezistencës, i vendosur në hyrje të shëtitores “Taulantia”.

Pavarësisht nga vendi i rëndësishëm që zë, si “memorial” i kësaj pjese të historisë së popullit shqiptar, monumenti mbulohet nga errësira çdo ​​mbrëmje, si një “hije” e lavdisë së tij të mëparshme.

Këto pamje të xhiruara nga “DurrësLajm”, nxjerrin në pah kontrastin e fortë midis shëtitores dhe rrugës përqark të ndriçuara mirë dhe vetë monumentit, i cili pas muzgut mbetet praktikisht i padukshëm.

Kjo mungesë e ndriçimit, jo vetëm që zvogëlon ndikimin vizual të monumentit, në këtë pjesë të qytetit të vizituar shumë edhe gjatë mbrëmjeve, por gjithashtu ngre shqetësimin, për angazhimin e qytetit për të ruajtur dhe nderuar trashëgiminë e tij kulturore.