Gjiganti botëror i vlerësimeve, Moody`s, vetëm dy muaj pas publikimit të fundit për vendin tonë, ka rishikuar në rritje projeksionet për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm.

Projeksionet më të fundit janë publikuar në raportin mbi statistikat e përgjithshme, që publikohet çdo 6 muaj dhe që është siguruar ekskluzivisht nga SCAN.

Në bazë të raportit të fundit, rezulton se, ekonomia shqiptare sipas Moody`s do të rritet me 3.9% këtë vit, nga 3.6% që projektonte vetëm dy muaj më parë. Edhe për vitin e ardhshëm rritja ekonomike projektohet po në 3.9%, nga 3.8% që vlerësohej më 2 Tetor të këtij viti.

Për vitin 2019 ndërkohë, Moody`s flet për një rritje ekonomike në 4%, duke e bërë praktikisht një prej institucioneve ndërkombëtare më optimiste sa i përket ecurisë së ekonomisë shqiptare në vitet në vijim. Madje, Moody`s është më optimiste edhe se qeveria shqiptare sa i përket rritjes ekonomike këtë vit.

Po ashtu, në krah të kundërt me institucionet e tjera ndërkombëtare shkon Moody`s sa i përket investimeve të huaja direkte, pasi parashikon një rënie tepër modeste në vitet në vijim, ndërkohë që i ka rishikuar në rritje këto projeksione në krahasim me dy muaj më parë.

Për këtë vit, projeksionet tregojnë se investimet e huaja direkte do të jenë në 7.7% të PBB, vitin e ardhshëm në 7.4% dhe në 2019 në 7.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rritja e projeksioneve për ekonominë shqiptare vjen vetëm pak ditë përpara se agjencia të publikojë vendimin më të fundit për notën e borxhit sovran të Shqipërisë./scan