Shqipëria paraqitet si stabël në vlerësimin e riskut të kreditit, por kjo mund të ndryshojë nëse do të kemi një “shthurje” të financave. Raporti i fundit i agjencisë prestigjioze “Moody’s”, i bërë më 20 dhjetor të këtij viti, gjykon se vendi ynë paraqitet në përgjithësi i qëndrueshëm, por kërcënimet për një rënie nga vlerësimi B1 nuk janë të pakta.

“Parashikimi stabël i Shqipërisë për riskun e kreditit reflekton balancë me risqe dhe sfida. Në kohën që vendimi i fundit i Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, por me kushte, është pozitiv në vlerësimin total të besimit, borxhi i lartë publik dhe pasiguritë që rrethojnë planin e konsolidimit fiskal ulin vlerësimin”, thuhet në raportin e “Moody’s”.

Por, çfarë do të vinte në rrezik uljen e vlerësimit? Sipas raportit, dështimi në ekzekutimin e programit të reformave të planifikuara (ekonomike dhe institucionale) mund të rrisë presionin për uljen e vlerësimit. “Efekti i dështimit për të vijuar konsolidimin fiskal mund të minonte vlerësimin, ashtu siç do të bënte një frenim domethënës nga ambicia për t’iu bashkuar Bashkimit Europian”, vlerëson agjencia.

Por, në të kundërt të risqeve, “Moody’s” ka marrë parasysh edhe ato aspekte që do të ndikonin pozitivisht në rritjen e vlerësimit të riskut të kreditit për Shqipërinë.

“Edhe pse qeveria po adreson problemet ekonomike strukturore, do të nevojitet më shumë progres domethënës, para se të marrim në konsideratë një rritje të renditjes së vendit. Përmirësimet në ndërtimin institucional, përfshirë eficiencën e Gjyqësorit dhe suksesin në luftën kundër korrupsionit, do të ishin me përfitim, ashtu siç paraqiten sot si mangësi që pengojnë investimet”, thuhet në raport.