Alvaro Morata ka vendosur të mos presë kandidaturat e Chelseat dhe Manchester United. Sulmuesi ka hapur dritën jeshile për Milanin duke i thënë po klubit kuqezi. Është bindur nga biseda me drejtorin sportiv të Milanit, Max Mirabelli, e natyrisht edhe nga oferta prej një page prej 7.5 milionë Eurosh neto në sezon. Gjithsesi, jo gjithcka ka përfunduar, pasi tani Milanit i duhet të gjejë mirëkuptimin edhe me Realin e Madridit në nivel klubesh.

Në buxhetin e Milanit është parashikuar një shumë prej 60 milionë Eurosh për Moratën që do të zërë vendin e sulmuesit titullar në skuadrën e Montellës, duke marrë trashëgiminë e Carlos Bacca. Morata ka gjetur shumë pak hapësira në eksperiencën e tij te Reali i Madridit, ndaj edhe tani preferon që më mirë ta nisë nga një aventurë në kualifikueset e Europa League se sa të rikthehet te Juventusi ku ishte nga 2014 deri në 2016 nën urdhërat e Allegrit.