TIRANE, 02 mars 2013– Me fillimin e marsit merr fund edhe bllokimi 7-vjeçar i mjeteve motorike të lundrimit. Pas kësaj periudhe disavjeçare, ku operatorët turistike kanë qenë të ndaluar të zhvillojnë biznesin e tyre edhe me sportet e ujit dhe lundrimet në det, për sezonin e kësaj vere ata mund të investojnë edhe në këtë drejtim.

“Fatmirësisht sot është një lajm i mirë. Nga sot të gjithë liqenet edhe detet shqiptare janë të lira nga efektet bllokuese të këtij Moratoriumi. është e lirë nga kjo verë e gjithë industria bregdetare që të investojë jo vetëm në sportet ujore, por edhe në turizmin detar. Po kështu edhe në zonat liqenore, 7 vjet këto ujëra kanë qenë të ndaluara të përdoreshin nga operatorët turistikë dhe nga gjithë sektori i industrisë së turizmit, gjë që i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm gjithë ekonomisë shqiptare. Dihet që Shqipëria është një vend mesdhetare, një vend bregdetar dhe ku shpresa e zhvillimit të këtij vendi është mbi të gjitha turizmi”, tha deputeti socialist Artan Gaçi.

Për deputetin e Partisë Socialiste, vendosja e Moratoriumit dhe zgjatja më tej e afatit të tij ishin vetëm alibi e qeverisjes se po përmirësonte imazhin në luftën me krimin dhe trafiqet, ndërsa pas shtatë vjetësh ky pretendim bie, tha ai.

“Jemi sot pas shtatë vjetësh nga ky moratorium, jo vetëm që krimi nuk ka rënë, por është shtuar në mënyrë drastike dhe siç e shohim krimi, mafia në këtë vend ka përfunduar në kupolën qeverisëse”, tha Gaçi.